Përveç çmimit të naftës i cili është duke u ngritur në vazhdimësi në Kosovë, ngritje të çmimeve janë duke pësuar edhe produktet ushqimore, duke përfshirë këtu edhe vajin, i cili së fundi nga 1.60 Euro sa ishte ditë më parë, çmimi është ngritur në 3.49 Euro.
Për çmimin e vajit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët edhe kanë kritikuar ashpër institucionet për mos reagim ndaj rritjes së çmimeve.
Çmimi i vajit në Kosovë duket se është më i shtrenjti krahasuar me shtetet tjera. Për këtë ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media deklaroi se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.
Anë e mbanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit”, deklaroi Kurti para mediave.
Reagime të shumta për ngritjen e çmimeve u bën edhe nga qytetarët, të cilët në redaksinë e Telegrafit kanë dërguar fotografi duke dëshmuar se çmimi i vajit në vendet e Evropës është më i lirë se në Kosovë.
Lexuesit e Telegrafit njoftuan se një litër vaj në Gjermani kushton 1.79 Euro, kurse në Luksemburg çmimi i një litre vaj kushton 1.49 Euro.
Në Francë, një litër vaj kushton 1.35 Euro.
Në Angli, një litër vaj kushton 1.09 Euro.
Në Norvegji, çmimi i një litër vaj është 2.50 Euro, kurse në Bruksel të Belgjikës çmimi i një litër vaj kushton 1.39 Euro.
Në Finlandë, çmimi i një litër vaj kushton 1.99 Euro.
Në Slloveni, çmimi i vajit 1.69 Euro.