Shkruan: Lekë Mrijaj
Sot, më 4 shtator 2024, në Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, me nismën e Kishës Katolike të Klinës dhe në bashkëpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, u mbajt një takim kulturor për të shënuar 45-vjetorin e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezës, të akorduar nga Akademia e Shkencave të Oslos në Norvegji. Ky aktivitet u organizua për të nderuar figurën e shenjtëruar të Nënë Terezës dhe për të rikujtuar mesazhin e saj të përjetshëm të paqes, dashurisë dhe humanizmit.
Para fillimit të takimit kulturor, u mbajt mesha e shenjtë dedikuar Shën Nënë Terezës, e cila u bashkëcelebrua nga don Fran Kolaj, don Jeton Thaqi, don Alfred Sokoli etj.
Takimi filloi me një ceremoni të përzemërt dhe solemne pranë shtatores së Nënë Terezës në oborrin e Kishës së Klinës. Të pranishëm ishin znj. Rozeta Hajdari, Ministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z. Zenun Elezaj, kryetar i Klinës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, nënkryetare, prof. Anton Kolaj (ish nënkryetar e bashkpuntorë i dr. Ibrahim Rugovës)e intelektualë, shkrimtarë, artistë të zhanreve të ndryshme, si dhe qytetarë të tjerë të Klinës me rrethinë…
Në emër të Komunës së Klinës, me një fjalë rasti foli kryetari Zenun Elezaj. Me një fjalë përmbledhëse për Nënë Terezën u paraqit don Jeton Thaqi, famullitar i Kishës Katolike Shqiptare në Klinë.
Me një kumtesë studimore dhe shkencore në emër të Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” të Klinës, u paraqit njëri nga anëtarët e parë të themelimit të këtij Forumi, prof. dr. Anton N. Berisha.
Në vazhdim, shkrimtari i mirënjohur prof. Prend Buzhala lexoi një poezi për Shën Nënë Terezën, Nobelisten shqiptare të paqes në botë. Ai ofroi një meditim dhe vështrim të thellë poetik për jetën e Shën Nënë Terezës, e cila dëshmoi përpjekjet dhe sakrificat e bëra, duke iu dalë gjithmonë në ndihmë të varfërve dhe të sëmurëve, pa dallim feje apo ngjyre, në Kalkutë dhe në mbarë botën.
Takimi i sotëm u përmbyll me një interpretim të një drame dedikuar Nënës Tereze dhe në interpretim të disa pikave artistike muzikore kënduar nga Lekë Duhani, Valentin Laci, Gjergj Tunaj, Zef Marku dhe Nue Delija, të cilët interpretuan këngë të frymëzuara nga jeta dhe veprimtaria e misionares shqiptare, Nënë Tereza.
Me përfundimin e këtij takimi kulturor, të gjithë të pranishmit, të udhëhequr nga don Jeton Thaqi, u bashkuan për të ndezur qirinj pranë shtatores së Nënë Terezës në qytetin e Klinës.