NË KLINË U MBAJT MANIFESTIMI TRADICIONAL “FLAKA E JANARIT 2020”

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, është mbajtur manifestimi kulturor, përkujtimor e tradicional,

“Flaka e Janarit 2020”, që mbahet për nder të tre heronjve të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, po ashtu edhe në nderim të dëshmorëve të kombit, Ilir Merturi, Naim Gashi dhe Vesel Avdyli, të rënë së bashku me 21 dëshmorë të tjerë dhe më 9 martirë në Rogovë të Hasit, më 29 janar 1999.

Kryetari Elezaj në fjalën e tij theksoi se dëshmorët, martirët dhe të gjithë të rënët për lirinë e këtij vendi, që luftuan kundër padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar, janë dhe do të mbeten përherë në historinë tonë kombëtare si dëshmi për luftën e drejtë të popullit shqiptar kundër pushtuesit serb.

“Dëshmorët, martirët dhe të gjithë të rënët për lirinë e këtij vendi, që luftuan kundër padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar, janë dhe do të mbeten përherë në historinë tonë kombëtare si dëshmi për luftën e drejtë të popullit shqiptar kundër pushtuesit serb, luftë kjo që u sublimua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trimat e së cilës në inferioritet ushtarak u sakrifikuan për atdhedashuri e besim në demokraci, për t`i dhënë fund vuajtjeve e robërimit të popullit shqiptar nën pushtimin e egër serb dhe për t`u shndërruar në gurë themeltar të lirisë e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Pikërisht 21 vite më parë, në atë dimër të acartë, kur bashkë me numrin e ushtarëve të UCK-së po rritej edhe nevoja për armatime e barut, luftëtarët e lirisë të dëshmuar për dashurinë ndaj atdheut, Veseli, Iliri e Naimi, bashkë me shumë shokë të idealit, do të niseshin me vendosmëri rrugëtimin me plotë rreziqe për në Shqipëri, por përballja heroike në Rogovë të Hasit me pushtuesin serb, ishte vendi ku këta pishtarë të lirisë ranë për të mos vdekur kurrë, duke mbetur përjetësisht në historinë tonë kombëtare si flakadan të lirisë”, tha ndër të tjera kryetari Elezaj

Rreth jetës dhe veprës heroike të figurave të ndritura, Jusuf, Bardh e Kadri Zeka, si dhe të dëshmorëve të kombit Ilir Merturi, Naim Gashi dhe Vesel Avdyli, foli edhe historiani Frashër Demaj, i cili vlerësoi kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Ky manifestim përfundoi me një pikë artistike, ku krijues nga Klina lexuan poezi dhe u këndua një këngë kushtuar dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.