NË KLINË FILLOI ASFALTIMI I RRUGËVE TË QYTETIT

Në kuadër të investimeve komunale për kompletimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, kanë filluar punimet për rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve të qytetit.

Fillimin e punimeve nga afër e ka përcjellë Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i cili uroi qytetarët për fillimin e këtij projekti dhe theksoi se ky është një nga projektet kapitale më të rëndësishme që qytetarëve iu mundëson kushte shumë të përshtatshme të qarkullimit rrugor dhe po realizohet duke pas parasysh kërkesat e vazhdueshme të tyre.

Kryetari Elezaj shtoi se punimet në asfaltimin e këtyre rrugëve do të bëhen sipas standardeve moderne, po ashtu kërkoi nga kompania që punimet të kryhen me cilësinë e paraparë në kontratë dhe të respektohen afatet kohore, me qëllim që të mos krijohen tollovi në komunikacion.

Afati i paraparë për përfundimin e punimeve është 100 ditë pune, ndërsa projekti ka një vlerë buxhetore prej 198 437 euro.