Shkruan: Lekë Mrijaj
Në mjediset e Katedralës së Prishtinës, pikërisht në Bogdanipolis u mbajt Tryeza e Dialogut Ndërfetar me temën “Dialogu Ndërfetar sipas Modelit Shqiptar”.
Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni “Drita”, duke bashkuar liderë të komuniteteve fetare, akademikë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe personalitete të shquara të jetës shoqërore e kulturore. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nga Klina.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte promovimi i modelit shqiptar të bashkëjetesës ndërfetare, një traditë e rrallë që ka shërbyer si shembull për rajonin dhe më gjerë. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Ngjarja nisi sipas protokollit zyrtar të Fondacionit “Drita” drejtuar nga ish Arqipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi, me pritjen dhe regjistrimin e pjesëmarrësve, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mirëseardhjeje për të gjithë të pranishmit.
Fillimisht në orën 10:30, tryeza u hap zyrtarisht me fjalët përshëndetëse të figurave të rëndësishme:
• Ish Arqipeshkvi i Tivarit, mons. Zef Gashi, President i Fondacionit “Drita”, theksoi rëndësinë e një dialogu të hapur dhe të sinqertë mes komuniteteve fetare në Kosovë dhe rajon, duke e cilësuar modelin shqiptar si një urë të rëndësishme për paqen dhe bashkëjetesën.
• Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Shkëlqesia e Tij, msgr. Jean-Marie Speich, përmendi rolin e përhershëm të Vatikanit në mbështetjen e dialogut ndërfetar dhe theksoi se bashkëpunimi mes feve është thelbësor për një shoqëri të qëndrueshme.
• Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, përgëzoi organizatorët për këtë iniciativë dhe vlerësoi diversitetin fetar të Prishtinës si një pasuri kulturore e rëndësishme.
Ky sesion u përqendrua në ndikimin global të dialogut ndërfetar dhe përvojat konkrete të bashkëjetesës. Folësit kryesorë ishin:
• P. Laurent Basanese S.J., përfaqësues i Dikasterit për Dialog Ndërfetar në Vatikan, i cili prezantoi përvojën e Kishës Katolike në dialogun ndërfetar dhe mënyrat e aplikimit të saj në kontekstin shqiptar.
• Dr. Markus Ingenlath, udhëheqës i organizatës Renovabis dhe ish-president i rinisë së CDU-së, analizoi qasjen evropiane ndaj një shoqërie multireligjioze dhe sfidat në ndërtimin e tolerancës ndërfetare.
• Dr. Besnik Mustafaj, studiues dhe ish-ministër i jashtëm, trajtoi fenomenin e shqiptarëve si një komb me përkatësi të ndryshme fetare, por të bashkuar në identitetin kombëtar.
• Prof. Dr. Ardian Ndreca, filozof dhe teolog, theksoi rëndësinë e unitetit etno-kulturor të shqiptarëve brenda një konteksti multireligjioz dhe mënyrat se si ky model mund të frymëzojë të tjerët.
Diskutimi theksoi se, ndonëse feja ka qenë shpesh burim ndarjesh në histori, në rastin shqiptar ajo ka shërbyer si një element unifikues dhe bashkues. Pjesëmarrësit vijuan diskutimet me pyetje e përgjigje në një atmosferë të hapur, pas së cilës u kalua në një drekë të përbashkët.
Në këtë konferencë, përfaqësuesit e komuniteteve fetare ndanë përvojat dhe vizionin e tyre mbi rolin e dialogut ndërfetar:
• Vedat Sahiti, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes besimeve fetare dhe mbështetjen e Islamit për tolerancën dhe harmoninë.
• Dr. don Mikel Sopi, nga Kisha Katolike, vlerësoi dogmen fetare biblike dhe modelin e bashkëjetesës ndër shqiptarë si një vlerë unike.
• Pastor Driton Krasniqi, përfaqësues i Kishës Protestante Ungjillore, theksoi nevojën për edukim mbi dialogun ndërfetar që nga nivelet më të ulëta të shoqërisë.
• Prof. Dr. Pirro Prifti, përfaqësues i Komunitetit Ortodoks nga Shqipëria, theksoi rolin e Kishës Ortodokse në ruajtjen e harmonisë fetare dhe integrimin e saj në identitetin kombëtar shqiptar.
Ky sesion u karakterizua nga një frymë mirëkuptimi dhe përpjekja për të ndërtuar ura bashkëpunimi për të ardhmen.
Një debat i hapur u zhvillua mes liderëve më të lartë fetarë në vend, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi sfidat dhe perspektivat e dialogut ndërfetar:
• Naim Tërnava, Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, theksoi se toleranca fetare ka qenë një shtyllë e identitetit shqiptar, duke veçuar rolin e dy figurave të shquara, imz. Mark Sopi dhe kryemyftiut të BIK-ut, Rexhep Boja.
• Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, imzot Dodë Gjergji, si nikoqir i ngjarjes, foli për rëndësinë e thellimit të dialogut mes besimeve fetare për një shoqëri më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
• Pastor Artur Krasniqi, Kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, propozoi iniciativa konkrete për bashkëpunim mes komuniteteve.
• Dr. Hysen Hyseni, përfaqësues i Komunitetit Hebre, ndau përvojën e komunitetit të tij në ndërtimin e dialogut ndërfetar dhe vlerësoi harmoninë në Kosovë.
Pjesa e fundit e konferencës u përmbyll
me një debat të hapur me audiencën, ku të pranishmit shtuan pyetje dhe ndanë mendime të ndryshme mbi temën e dialogut ndërfetar.
Në përfundim, pjesëmarrësit udhëheqës të bashkësive fetare shqiptare, miratuan një Rezolutë të përbashkët, duke u angazhuar për të forcuar më tej dialogun ndërfetar si një vlerë e rëndësishme e identitetit shqiptar dhe për ta promovuar edhe herave tjera këtë model në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
• Mbrëmja u përmbyll me një darkë të përbashkët Iftari ku morën pjesë të gjithë të pranishmit kryesuar nga Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Shkelqësia e Tij, msgr. Jean Marie Speich, nikoqiri ipeshkvi i ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kryetari i BIK-ut, keyemyftiu Naim Tërnava (dhe stafi i tij shpirtëror), Mons. Zef Gashi, President i Fondacionit “Drita”, Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, P. Laurent Basanese S.J., përfaqësues i Dikasterit për Dialog Ndërfetar në Vatikan, Dr. Markus Ingenlath, udhëheqës i organizatës Renovabis dhe ish-president i rinisë së CDU-së, Pastor Driton Krasniqi, përfaqësues i Kishës Protestante Ungjillore, Prof. dr. Pirro Prifti, përfaqësues i Komunitetit Ortodoks nga Shqipëria, etj.
Kjo konferencë dëshmoi se bashkëjetesa fetare shqiptare e deshmuar nder shekuj ishte dhe është dhe mbetet një pasuri unike që duhet promovuar si një shembull frymëzues për brezat tanë dhe mbarë botën.