Në një ceremoni të organizuar në kampusin e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u zbulua të martën skulptura “Poshtë – Lartë”, e autorit, Butrint Morina. Skulptura e cila është zgjedhur fituese në kuadër të projektit “Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës”, mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, u zbulua nga rektori, prof.dr. Alush Musaj, drejtori i “7 Arte”, Lulzim Hoti, autori, Butrint Morina si dhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Ariona Rushiti.
Rektori Musaj, ka falënderuar drejtorin e “7 Arte”, Lulzim Hotin dhe autorin e skulpturës, Butrint Morina, për veprën artistike që është vendosur në kampusin universitar. “Jemi mirënjohës për punën dhe angazhimin tuaj dhe e vlerësojmë këtë vepër artistike si një fillim të një epoke të re bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe botën e artistëve”, tha ai.
Ndërsa, Lulzim Hoti nga “7 Arte”, falënderoi rektorin për bashkëpunimin dhe mundësinë e krijuar për idetë kreative në qytetin e Mitrovicës. “Skulptura është e ndërlidhur me karakterin industrial të qytetit, pasuritë nëntokësore që ka si dhe me programet akademike që mbulojnë fushën e gjeoshkencave në UIBM”.
Autori i skulpturës “Poshtë – Lartë”, Butrint Morina, u shpreh i lumtur që vepra e tij artistike është vendosur në hapësirën universitare. “Është kënaqësi të shohësh një vepër artistike në këtë hapësirë të bukur të mbushur me studentë”, tha ai.