Fundjava që vjen pritet të jetë vendimtare nëse do të nisë procesi mësimor nga 3 tetori apo do të vazhdojë greva në arsim.
Edhe pas përfundimit të votimit brenda anëtarësisë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nëpër komunat e vendit ende nuk dihet për rezultatin final nëse do të ndërpritet greva apo jo.
Anëtarja e Këshillit të Grevës, Hanife Salihu tha se edhe pas votimit, disa nga shkollat ka thënë se ende nuk dihet nëse do të nisë procesi mësimor nga e hëna.
“Ende nuk kemi të dhëna për qëndrimet e shkollave në nivel vendi se cili është qëndrimi i tyre lidhur me vazhdimin e grevës apo nisjen e procesit mësimor nga e hëna”, tha Salihu.
Shkollat që nuk morën pjesë në procesin e votimit, kanë kohë edhe nesër të shprehin qëndrimin e tyre.
“Kemi informacione se deri në orën 12:00 kur ka mbaruar procesi i votimit, janë disa shkolla që nuk kanë marrë pjesë në votim dhe të njejtët kanë kohë deri ditën e nesërme të tregojnë qëndrimet e tyre përmes votimit”, shtoi ajo në Klan.
Tutje, Salihu tha se brenda SBASHK-ut rezultati i procesit të votimit do të kuptohet gjatë pasditës së nesërme ndërsa vendimin përfundimtar se a do të nisë apo jo mësimi nga e hëna do të kuptohet gjatë vikendit.
Kujtojmë se nga 25 gushti SBAShK-u mori vendim për bllokimin e procesit mësimor përmes grevës deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.