NË FESTIVALIN FOLKLORIK “I KËNDOJMË LIRISË”, KËNGË E VALLE NGA TË GJITHA TROJET SHQIPTARE

Klinë, 28 prill
Në Festivalin Folklorik mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili tashmë është bërë tradicional, që nga pas lufta, i cili mbahet çdo vit, për tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor, marrin pjesë rapsodë, grupe, valltarë e instrumentistë, nga e gjithë hapësira mbarë shqiptare.

Në mbledhjen e Këshillit Organizativ, u vlerësua se Festivali për çdo vit ka shënuar arritje të larta, si për nga cilësia, masovizimi dhe pjesëmarrja e rapsodëve, grupeve, ansambleve, valltarëve dhe instrumentistëve. Kështu do të jetë edhe sivjet.

Sivjet festivali shënon 20 vjetorin e rrugëtimit të tij, rrjedhimisht edhe përgatitjet po ecin mirë. Në anën tjetër Komuna e Klinës, edhe sivjet i jep mbështetje festivalit. Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj , theksoi se organizimi i sivjetmë ka karakter jubilar, ndaj edhe organizimi duhet të jetë në nivelet e larta, pasi që Klina njihet edhe për këtë manifestim folklorik gjithëkombëtar.

“Ky është edhe çasti ynë duke shënuar vazhdimin e një tradite të mirëpritur kombëtare duke i dhënë festivalit dimensione të larta kulturore. Kjo edhe për faktin se në skenë për tri net radhazi do të ngritën e do të këndojnë këngëtarë e ansamble nga vende të ndryshme të hapësirave tona etnike.”, tha Elezaj duke shtuar se përkrahja e komunës do të jetë maksimale.

Drejtoria artistike e Festivalit, që bënë përzgjedhjen e grupeve, rapsodëve e valltarëve ka konfirmuar pjesëmarrja do të jetë e madhe. Daut Gashi, nga kjo drejtori njoftoi se tashmë 90 për qind e ansambleve, grupeve, rapsodëve me të cilët kemi kontaktuar, në Kosovë, Shqipëri, Luginë të Preshevës, u janë dërguar ftesat dhe ka një gatishmëri të tyre që të prezantohen në festival me vlerat e tyre.

Sipas Gashit, edhe në ditët në vijim do të vazhdojë shpërndarja e ftesave. Drejtoria për kulturë rini dhe sport, e cila bashkë me këshillin organizativ e ka barrën më të madhe të organizimit dhe mbarëvajtjes së festivalit, është aktive. Drejtoresha për kulturë, rini dhe sport Fatjona Gashi, theksoi se sivjet festivali është jubilar, gjë që e shton përgjegjësinë edhe më shumë.

“Të gjithë bartësit e detyrave të festivalit do të jenë në nivel si kurdoherë më parë. Tashmë e kemi edhe traditën e përvojën në organizimin e këtij evenimenti folklorik mbarëkombëtar. Edhe procedurat e tenderimit janë kryer, pos atij që ka të bëjë me akomodimin e pjesëmarrësve që vijnë jashtë vendit”, theksoi drejtoresha Gashi. Ndërkaq, drejtori i festivalit, Alban Gashi, tha se përgatitjet po ecin mirë për krijimin e të gjitha kushteve të mira për organizimin e festivalit, duke filluar nga skena , për përformimin sa më të mirë të artistëve që do të ngjitën në skenë. Sivjet mbahet edhe Tryeza shkencore, me tema nga që janë në frymën e traditës dhe të themelimit të festivalit para 20 viteve.

Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, përkon edhe më ditëlindjen e njërit ndër komandantët më të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit-Kapuçit, i cili ishte po ashtu edhe rapsod i njohur. Edhe sivjet, do të botohet gazeta periodike e festivalit “Lyra”, që e përgatit grupi i gazetarëve, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që zhvillohen për tri ditë me radhë.