NË FESTËN ZYRTARE

Asnjë kod sizmologjik
nuk pati mundësi ta regjistronte lëkundjen e tokës
kur dolën ata atë ditë nga burgjet,
nga varret e nga përmendoret.

U ngjitën në podium,
ashtu hijerëndë,
ashtu të pagjumë.

Vargan,
sikur dje ushtarë,
të gjithë,
ballëlartë e pa fjalë.

Qirinj ndezën në secilën bebëz
të fëmijëve të Kosovës,
sipas protokollit
me numër e me datë të gjakut.

Ndenjën pak se ata të rrinë shumë, kohë nuk kanë,
mbajnë mbi supe ekuilibrin e diellit tonë,
dritë ndërtojnë.

MES MEJE E TEJE TETOVË

Shpesh ta dua
vetëm Naim Frashërin
dhe Fadil Sulejmanin
që ke ti në gji.

Vetëm vijën tënde të gjakut
që më shpie në Prishtinë
pa kaluar kontrollin kufitar
në Jazhincë.

Tetova ime
me ca mjegull si vjeshtë
mes meje e teje shpesh.

Me ca mjegull
mes Malit të Thatë e Sharrit plak,
që m’i lëbyr të dy sytë.

PONC PILATI

Dritën e syve të ditës së nesërme,
foshnjën e gjakut të atyre që ranë
ma ngrin njëzet e katër orë në ditë
Ponc Pilati në Kalvar.

LEJA E NJOFTIMIT PAS LUFTE

Nuk e gjen identitetin as dinjitetin
në këtë dokument fytyrëzbehtë të shtetit,
vlejnë më shumë teserat,
blutë, të kuqet, të gjelbrat, të zezat…

KAMELEONËT VULLNETARË

Kameleonët vullnetarë
thikë e bëjnë majën e lapsit,
aq gjakftohtë
Luigj Gurakuqin,
Hasan Prishtinën,
Fadil Sulejmanin e vrasin.

Lakuriq, pa gjë në trup e shpirt,
nuk mbulohen pak as para, as prapa,
kameleonët vullnetarë nuk i mbyt marrja.

VRANËT MBI DRI

Rëntë shi
që të qash ti
qerpikëve të blirëve
të qytetit tim të vogël
ku do të vish një ditë
shtegut të poezisë.

Dalshin ylbere pasdreke
me buzëqeshjen tënde.

Në kohë të vranët
ardhsh kujtimit si sot vërtet,
të shfryhemi, të zbrazemi
sikur lart në qiell retë.