Në ballë të PDK’së asnjë nga Drenica

Partia e themeluar nga Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi ngadalë po rrëshqet nga duart e njerëzve të Drenicës. Tash në ballë të PDK’së, shumica e zyrtarëve, nuk janë nga ky rajon. Në ballë të saj janë njerëz nga Mitrovica, Prishtina, Llapi e Suhareka

Express

Hashim Thaçi sa ishte Kryeministër, për dy mandate, kurrë Ministër s’kishte emëruar nga rajoni i Drenicës. Zakonisht pushtet iu kishte dhënë zyrtarëve partiakë të ardhur nga Rajoni i Dukagjinit anipse PDK historikisht ka dështuar në këtë pjesë të Kosovë të marrë vota, shkruan Gazeta Express.

Por, duket se edhe udhëheqje e re e PDK’së i ka lënë nën hije zyrtarët që vijnë nga rajoni i Drenicës.

Deputetja e Parlamentit të Kosovës nga Skenderaj, Ganimete Musliu, ka shkruar një reagim. Nuk e ka sqaruar deri në fund nëse ka bërë hajgare, është vetëm e ka theksuar faktin se në ballë të PDK’së s’ka asnjë nga Drenica.

“Tani po thojne PDK krejt e Drenices🤪!”, ka shkruar Musliu në reagim.

Ndërkohë, sot, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK’së prapë kanë konfirmuar se s’do të jenë pjesë e Qeverisë derisa kanë paralajmëruar se do të votojnë anëtarët e rinj të Kryesisë si dhe Nënkryetarët.

PDK prej pasluftës ka qenë në pushtet në shumicën e kohës, përjashtim vitet 2004-2007, kur bashkëqeversnin LDK me AAK’në.

Kjo parti ka pasur katër herë pozitën e Kryeministrit, tri herë Hashim Thaçi përfshirë Qeverinë e Përkohshme dhe një herë Bajram Rexhepi.

Kadri Veseli, ish-Shef i SHIK’ut, ka marrë pozitën e Shefit të PDK’së më 2016 kur themeluesi i Partisë u ngjit në pozitën më të lartë shtetërore.

Aktualisht është partia e tretë pas Vetëvendosjes dhe LDK’së. Në ditën e zgjedhjeve, Veseli tha se shkojnë në opozitë pasi kanë humbur zgjedhjet.

VV dhe LDK kauzë zgjedhore e kanë pasur ta çojnë në opozitë PDK’në dhe kanë thënë se s’bëjnë koalicion me këtë parti.

PDK edhe në nivel lokal është partia e tretë sa i përket udhëheqjes së komunave. Drejton Drenasin, Kaçanikun, Shtimen, Ferizajn, Dragashin.

PDK është themeluar pas përfundimit të luftës ndërsa themeluesit kryesorë ishin edhe udhëheqës të luftës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së.

Një pjesë e madhe e udhëheqjes aktuale dhe ish-prijës të kësaj partie janë ftuar në cilësi të të dyshuarve nga Gjykata Speciale në mesin e të cilëve edhe Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Azem Syla etj.