Janë bërë 24 vite nga rënia heroike e dëshmorit Leonard Palucaj, nga Klina, i cili u vra në Koshare.
Në këtë përvjetor, Shoqatat e dala nga lufta në Klinë, me kryetar Hajdin Balaj, kanë vizituar familjen e Palucajt.
Balaj më këtë rast u tha familjarëve se duhet të jenë krenar me djalin e tyre, një trim i etur për liri, dhe falë gjakut të tij e të rënë të tjerë, ne sot jemi të lirë.
Në radhët e UÇK-së, veç Leonardit, u radhitën edhe vëllai i tij, Viktori, djali i axhës, Luigji, dhe kushëriri tjetër, Ambrozi.
Lidhjet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Leonardi i kishte vënë në pikën ushtarake të Shqiponjës (ish-Jabllanicë e Dushkajës), ku ai, së bashku me shokë, kishte shkuar shpesh për të parë organizimin e vijës së frontit.
Ky organizim, këtë të ri e kishte entuziazmuar tejmase, kurse shpirtin e tij e kishte përvetësuar tërësisht pamja dhe qëndresa heroike e luftëtarëve të lirisë. Me ashpërsimin e luftës, pushtuesi serb, sikurse edhe tërë popullatën civile shqiptare të qytetit të Klinës, e kishte detyruar të largohet nga vatra e saj, edhe familjen e Dedë Palucajt. Më 27 mars të vitit 1999, ajo kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Mirëpo, Leonardi nuk kishte vazhduar rrugën përtej Kukësit, ku arrin më 29 mars, pasi kishte vendosur t’i kthehej Kosovës si ushtar lirie dhe si mohues kufijsh të dhunës e të copëtimit.
Ai, së bashku me Ambrozin e Luigjin, shkoi në Kalimash, ku ndodhej qendra stërvitore e UÇK-së, dhe aty mobilizohet në njësitin ushtarak të komanduar nga komandanti Binak Gashi, të brigadës 138 “Agim Ramadani”. Në ceremoninë e dhënies së betimit, nga Tirana në Kalimash, kishte shkuar për të marrë pjesë edhe babai i Leonardit. Në atë rast, babë e bir kishin bërë disa fotografi solemne, të cilat kanë mbetur si një monument kujtimi.
Dy javët e para, pas mobilizimit, Leonardi, Ambrozi e Luigji, si dhe tërë brezi i tyre i rekrutëve, bënë stërvitjet e nevojshme me qëllim të aftësimit për vijat e frontit. Ato ditë, nga brigada 138 “Agim Ramadani” ishte planifikuar të ndërmerrej sulm i përqendruar mbi kufirin politik të Shqipërisë etnike, te vendi i quajtur Rrasat e Koshares. Ashtu siç ishte planifikuar, edhe u veprua. Sulmi mbi kufirin filloi. Pushtuesi serb u kundërpërgjigj në mënyrë dëshpëruese. Ai përdorte taktikën e zbrapsjes e të sulmeve sporadike. Ditën e parë të luftimeve, plagoset luftëtari Ambroz Palucaj. Atë arrin ta tërheqë nga vija e frontit, Leonardi, duke e bartur në shpinë deri në thellësi të tokës së lirë, ku ndodhej ambulanca ushtarake, ndërsa vetë kthehet sërish te vendi i luftimeve. Të nesërmen, luftimet vazhduan edhe më të ashpra. Ishte data 19 prill e vitit 1999. Beteja zhvillohej në distancë shumë të vogël. Armikut i arrinin përforcime të reja, por ato nuk mund ta mposhtnin heroizmin e ushtarëve të lirisë, të veshur me uniformën e UÇK-së.
Në këtë zjarr beteje, në simbolikën më të veçantë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte rrënimi i kufirit të robërisë njëshekullore, te Rrasa e Zogut, në Koshare, më 19 prill të vitit 1999 hyri në përjetësi edhe dëshmori Leonard Palucaj. Në këtë betejë, përkrah tij ranë edhe dëshmorët Fatos Limani, nga Prishtina, Shukri Qorraj, nga Pemishta e Skënderajt dhe Fisnik Ibrahimi, nga fshati Shajne i komunës së Sharrit. Dy ditë më pas, trupat e dëshmorëve u varrosën nga bashkëluftëtarët, në varrezat e qytetit Bajram Curr. Për të shënuar simbolikën e vendit të rënies, më 23 gusht të vitit 1999, ata u rivarrosën në Koshare, si trupa të paidentifikuar, NN. Tre vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, policia e UNMIK-ut zhvarrosi eshtrat e këtyre dëshmorëve dhe i dërgoi në morgun e spitalit të Rahovecit, me qëllim të identifikimit të tyre me metodën e testitimit të AND-së. Pas këtij testimi, në dhjetor të vitit 2002, u identifikuan edhe eshtrat e dëshmorit Leonard Palucaj, duke u bërë të ditura edhe plagët e marra gjatë luftimeve, nga armë zjarri, në kokë e në trup. Familja e këtij dëshmori, lidhur me rezultatet e testit u njoftua më 15 janar të vitit 2003, e cila, të nesërmen organizoi ceremoninë e varrimit të tij, në varrezat e fshatit Krushevë e Vogël të komunës së Klinës.
Me rastin e identifikimit, në trupin e dëshmorit Leonard Palucaj ishte gjetur stolia prej arit, qaforja, të cilën ia kishte dhuruar e ëma, Dilja. Qaforja e këputur nga plumbi, i është kthyer sërish asaj, si shenjë dëshmie e trimërisë dhe heroizmit të Lenit të saj e të mbarë shqiptarisë, siç e quanin Leonardin, në familje, në rrethin e shokëve dhe pastaj edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komanda e brigadës 138 “Agim Ramadani” e UÇK-së e ka dekoruar dëshmorin Leonard Palucaj me Pllakatën e Artë me stemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.