Ambasada Gjermane në Kosovë ka ndryshuar procedurën e termineve për viza punësimi.
Dhënia e termineve për viza do të ndryshojë duke filluar nga data 1 dhjetor.
“Për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të termineve, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion, duke filluar nga dhjetori 2021 terminet do të caktohen nëpërmjet procedurës së tërheqjes së shortit”.
“Për këtë nga data 01.12.2021 në orën 14:00 fillimisht do të hapet një listë e re e regjistrimeve për kërkesa për termine. Kjo listë do të jetë e hapur për regjistrime gjatë gjithë kohës deri më 17.12.2021 në orën 12:00. Lista më pastaj nuk do të mbyllet, sikurse ka qenë rasti deri tani, kur është arritur një numër i caktuar i përgjithshëm i regjistrimeve. Në vend të kësaj, lista aktuale e regjistrimeve do të mbyllet më 17.12.2021 në orën 12:00 dhe nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në janar/fillim të shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e ambasadës.