Nje kapiten i një anije në Shëngjin është identifikuar dhe shpallur në kërkim që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, të Komisariatit Lezhë dhe specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë kryer veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten shtetasin E.K., për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës”, pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit.” – bën me dije policia.
Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./oranews