Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre, por edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Një rast i dhunës ndaj një gruaje në Klinë është raportuar sot në Polici, por këtë herë ngjarja është jo fort e zakontë.
Sinjali mëson se personi që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një 62-vjeçareje është gruaja e dytë e bashkëshortit të saj 71-vjeçar, me të cilën jetojnë në një bashkësi familjare.
Viktima është ajo që e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar ndihmë në Polici, ku e ka akuzuar të dyshuarën se ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me dyshimet e ngritura ndaj saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.