Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për financimin e projektit në kuadër të skemës së granteve, Programit për rimëkëmbje ekonomike 2020, Masa 8, vlera e së cilës është 2 milionë euro, ndërsa përfitues janë 156 biznese, me rreth 500 punëtorë në kuadër të këtyre bizneseve.
Me këtë rast, kryeministri Hoti theksoi se duke u bazuar në situatën e krijuar nga pandemia Covid-19, tashti së fundmi bizneseve u janë shpërndarë 60 milionë euro, ndërsa në bujqësi janë dyfishuar subvencionet, pa lënë anash edhe mbështetjen për gratë në biznes, minoritetet dhe kategoritë e tjera në nevojë.
Kryeministri Hoti nënvizoi se, Qeveria e Kosovës deri tani bizneseve u ka lëshuar mjete në vlerë prej 280 milionë eurosh, ndërkaq bëri të ditur se për vitin e ardhshëm është paraparë një fond për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 182 milionësh, por i cili do të rritet gjatë dy leximeve të buxhetit në Kuvend.