Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior po merr hapat e nevojshëm pas situatës së krijuar në Ukrainë.
Rusia ka nisur pushtimin e saj në Ukrainë në orët e hershme të ditës së sotme, duke lënë të vdekur qindra civilë (sipas statistikave jozyrtare).
Pas këtyre ngjarjeve, shtetet (lindore) e NATO-s kanë bërë thirrje që të implementohet neni i 4-të i marrëveshjes së NATO-s.
Por, çfarë thotë neni 4?
“Palët do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërës prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjërës prej Palëve”, thotë neni 4 i Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Shtetet anëtare të NATO-s; Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë bërë thirrje që të nisin konsultimet brenda aleancës, bazuar në nenin 4, për situatën në Ukrainë.
NATO është në rrezik nga Rusia, pasi vendet e Baltikut thuhet se mund të jenë synimi i radhës për Vladimir Putinin, pas Ukrainës.