Vendet e rajonit janë goditur nga tërmetet të njëpasnjëshme, që është ndjerë edhe në Kosovë, por me intensitet më të ulët.
Lidhur me këtë drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës Shemsi Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kosova gjendet afër zonës ku ndodhin tërmetet e mëdha, por pavarësisht kësaj mund të goditet nga një tërmet me intensitet më të vogël.
“Italia, Greqia, disa ishuj të Greqisë, në perëndim dhe në Lindje të Turqisë, është një zonë me aktivitet sizmik shumë të lartë, ku në të kaluarën ka gjeneruar tërmete shumë të fuqishme deri në 7.2 shkallë të rihterit, ku edhe në të ardhmen mund të gjenerojnë tërmete me një magnitudë prej 7.2 deri në 7.5 shkallë të rihterit”.
“…kjo është zona më e rrezikuar duke u bazuar në të se është kontakti i dy pllakave tektonike të Afrikës dhe Euro Azisë dhe nga presioni i madh që krijojnë këto dy pllaka nga fërkimi i madh siç e quajmë ne sebduksion, faktikisht gjenerojnë tërmete të fuqishme në tërë këtë zonë. Tani Kosova është afër kësaj zone. Nuk mundet me ndodh ndonjë tërmet me intensitet qysh i ka godit këto zona që i përmenda, por normal që mundet me u godit me tërmete me intensitet më të ulët”.
Ndërkaq siç thekson Mustafa, zonat më të rrezikuara janë Peja, Prizreni, Istogu, Anamorava, dhe zona veriore e Kosovës.
“Bazuar në hartën e rrezikut sizmik kemi tri zona që janë me aktivitet sizmik më të lartë dhe mund të priten tërmetet të fuqishme. Zonat janë, Peja, Prizreni, Istogu. Peja është godit në të kaluarën në vitin 1662 me një tërmet 6.2 shkallë, Prizren që është godit në vitin 1456 me tërmet 6.0 shkallë të rihterit. Kurse tërmeti i fundit që ka godit në vitin 1921 është mirëstudiuar nga IZISI i Shkupit në atë kohë me një magnitutë 6.1 shkallë të rihterit. Kjo është zona Ferizaj, Viti, Gjilan ose Zona e Anomoravës”.
“…këto tërmete që kanë goditur në të kaluarën tregojnë se territori i Kosovës është një vend me aktivitet sizmik relativisht të lartë. Zona veriore e Kosovës, ku në vitin 1980 është goditur me një tërmet 5.8 shkallë të rihterit”.
Po ashtu ai ka përmendur edhe periudhat përsëritëse të tërmetit, ku ka theksuar që brenda 100 vjetësh mund të ndodhin sërish tërmete, raporton EI.
“Harta e rrezikut sizmik e jep me periudhë përsëritëse 50 vjet, 90 vjet, 475 vjet, që brenda 100 viteve mund të goditet territori i Kosovës me një termet me X magnitude. Kjo tregon për të gjithë ata që ndërtojnë dhe sidomos zonat që i përmendëm”.
Një ditë pas tërmetit të fuqishëm në Follorinë, një lëkundje sizmike edhe më e fortë është regjistruar në rajonin e Qipros.
Sipas Qendrës për Monitorimin Sizmik në Evropë dhe Mesdhe tërmeti me magnitudë 6.5 rihter u regjistrua rreth orës 03:00 në Qipro, 100 km larg qytetit të Limasolit.