Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti lidhur me mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri, ka thënë se koalicioni qeverisës është duke funksionuar.
Hoti ka shtuar se nuk sheh arsye që të hyhet në “kombinime’ të tjera në qeveri.
“Unë besoj që [pyetjen] duhet t’ia drejtoni kryetarit të LDK-së. Koalicioni qeverisës është duke funksionuar, ju i patë edhe vendimet e rëndësishme që i morëm sot. Qeveria është stabile. Për aq kohë sa është qeveria stabile, unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke respektuar marrëveshjen e koalicionit. Unë jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, theksoi kryeministri.
Hoti këtë deklaratë e dha të hënën në konferencë për media, kur u pyet se a do t’i dërgojnë ftesë PDK-së dhe a është e mundur që kjo parti të përfshihet në qeveri.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa të dielën ka thënë se i kanë hequr vijat e kuqe për bashkëqeverisje të mundshme me PDK-në.