Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk është koordinuar me kryeministrin Avdullah Hoti për emërimin e konsujve të përgjithshëm.
Mustafa tha se ka marrë vesh edhe për emërimin e ish-këshilltarit të Kadri Veselit si konsull në Frankfurt të Gjermanisë, që gjithashtu thotë se është bërë pa aprovimin e Hotit.
“Thuhet se nuk është rast i vetëm. Nga një diplomat u informova se edhe në konsullatën e Frankfurtit është vepruar njëjtë, qe flet për mungesë koordinimi të MPJ me Qeverinë në marrje të vendimeve. Kjo praktikë duhet të eliminohet dhe të korrigjohet. Nuk duhet të mungojë as dhënia e përgjegjësisë”, tha Mustafa për Objektivin.
Para se të japë dorëheqje, ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte dekretuar Gazmend Krasniqin si konsull të përgjithshëm në Frankfurt. Krasniqi kishte punuar si shef i protokollit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, mbrëmë ka njoftuar se ka shfuqizuar katër dekrete për emërime të konsujve të përgjithshëm, përfshirë edhe dekretin që e bëri konsull të përgjithshëm në Pragë të Çekisë Flakron Shalën, djalin e deputetit të AAK-së, Haxhi Shala.