Sulmuesi i kombëtares së Kosovës dhe i Mallorcas, ka thënë se Kosova ndodhet në “top formë” dhe shpreson se do të triumfojnë në duelin e nesërm.
Muriqi, i cili e ka nisur mjaft mirë sezonin në La Liga me Mallorca, thotë se Kosova është përgatitur mjaft mirë për duelin me rumunët.
“Kemi shumë vite që luamë bashkë me Edonin, Milotin për momentin jemi në top formë, kemi një ekip shumë të mirë dhe besoj se jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj se do të fitojmë nesër. Do të japim maksimumin dhe besoj se nesër Kosova do ta shoh lojën tonë”, ka thënë Muriqi.
Ai thotë se konkurrenca në repartin e sulmit është e fortë dhe mjaft e mirë pas ardhjes se disa lojtarëve të rinj.
“Besoj se prej që është krijuar si kombëtare konkurrenca është e fortë. Nuk e ndjej veten keq edhe pse tash jam si ‘plak’ pasi kam 30 vjet. Kemi ekipin shumë të mirë në sulm pamarrë parasysh se kush luan dhe nuk kemi asnjë problem sepse edhe këta lojtarët që kanë ardhur janë shumë të mirë”, ka theksuar Muriqi.
Muriqi thotë se fitorja e mundshme e nesërme do të ishte shumë e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës.
“Tashmë jemi në një fazë ku do të mundohem t’i largohemi dështimeve. Fitorja nesër do të ishte shumë e rëndësishme për ne”, ka pohuar ai.