Trajneri i Ipswich Town, Kieran McKenna ka mbajtur konferencë të enjten. Por, ndër të tjera, ai ka folur për largimin e Arijanet Muric nga grumbullimi i ekipit përfaqësues të Kosovës.
Përveç portierit, të përjashtuar nga grumbullimi i ekipit përfaqësues dy ditë pas humbjes turpëruese 3-0 nga Rumania ishin edhe Edon Zhegrova dhe Florent Muslija. Vendimi, një ditë para ndeshjes së dytë të Ligës së Kombeve ndaj Qipros, ishte i përzgjedhësit Franco Foda dhe i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Lojtarët kanë pranuar se janë larguar pa leje gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese. Por kanë mohuar se kanë qenë në klube nate.
Trajneri i Ipswich Townit ka thënë se versioni që ka dëgjuar nga Muric nuk përkon me atë që është raportuar në Kosovë.
“Kam biseduar me Aron. Natyrisht, nuk është çështje e imja apo e Ipswichit për ta sqaruar situatën. Kam diskutuar me Aron dhe ai ma ka dhënë versionin e tij, që mendoj, siç ka thënë ai, është pak ndryshe nga versioni i spekulimeve për të cilat është folur”, ka thënë McKenna.
“Nuk kam asnjë telash me versionin e tij. Ai është lojtar i yni dhe e përkrahim atë. Mirë që e kemi pasur në skuadër këtë javë për disa stërvitje shtesë dhe po punojmë për ta integruar atë në skuadër”.
“Mendoj se do të jetë lojtar i rëndësishëm për ne”, ka shtuar më tej straetgu i klubit anglez.
Portieri ishte i suspenduar edhe në të kaluarën nga FFK-ja pasi kishte shkuar i dehur në stërvitje. /Telegrafi/