Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se niveli i ri i pagës minimale do të fillojë së zbatuari nga muaji tetor, teksa u shpreh se afati prej një muaji deri në zbatim është caktuar në mënyrë që t’u japë kohë kompanive dhe institucioneve që të përgatiten për ndryshimet te paga minimale.
Murati ka deklaruar se Ministria e Financave do të sigurohet përmes mekanizmave të saj që ky vendim të zbatohet.
“Ishte vendimi për rritjen e pagës minimale pas më shumë se 13 viteve, kur ishte përcaktuar niveli prej 130, përkatësisht 170, për pagën minimale. Me vendimin e sotëm, bëhet përcaktimi për orë pune ashtu siç e parasheh Ligji i Punës”, ka thënë Murati.
“Përcaktimi i pagës së re minimale tashmë është bërë për orë pune, si dhe nëse kjo përkthehet me orar të plotë, atëherë rezulton me pagë mujore 350 bruto dhe do të filloj së zbatuari deri në tetor. Arsyeja është që kompanitë të arrijnë të përshtatin listat e pagave. Në mënyrë që ky vendim të zbatohet në plotni, do të sigurohemi përmes kontrolleve rutinore, apo përmes kontrolleve se vendimi i ri për pagën minimale nuk po zbatohet”, ka thënë ai.