Murati: Në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me numrin e te punësuarve dhe shkallën e papunësisë ndër vite.

Ai ka publikuar disa statistika nga ASK, rreth punësimeve, ku ka thënë se këto janë të vërtetat.

Tutje ministri ka deklaruar se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë

Statistikat:

Në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar.

Për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78,427 vende pune.

Për krahasim, gjatë qeverisjeve të kaluara janë shtuar vetëm 44,228 vende pune, për 8 vite.

Vitet kur ka pasur zgjedhje, në qeveritë e kaluara vërehet një rritje e përkohshmee të punësuarve, e cila pastaj vitin pasues zhbëhet dhe numri i të punësuarve ulet përsëri. Kjo dëshmon për punësimin e paqëndrueshëm gjatë fushatave zgjedhore kur qeverisnin të tjerët.

I vetmi rast kur edhe pas vitit zgjedhor vazhdon rritja e punësimit, është në Qeverinë Kurti, përkundër faktit që në vitin 2021 kishim zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Kjo dëshmon se punësimi gjatë qeverisjes sonë ka qenë i qëndrueshëm, dhe se masat që kemi ndërmarrë për mbështetje të ekonomisë kanë funksionuar.

Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë.