Ministri i Financave e ka quajtur lajm të rremë deklarimin se Qeveria ka përjashtuar kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.
Me një postim në Facebook, Murati ka thënë se sivjet është në fazën e pilotimit, dhe si i tillë mund të ketë sfida gjatë impemtentimit.
“Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.
Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë.
Si Ministri, kemi lëshuar komunikata me sqarimet e nevojshme, por, se sa u është dhënë jehonë nga disa prej mediave, është për t’u diskutuar. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Kryeministri para ca ditësh kur tha se masat dhe veprimet e Qeverisë nuk po përçohen si informata tek qytetarët nga disa media.
Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim.
Së pari, siç edhe mund të shihet në vendim (foto 2), të ardhurat nga pensionet invalidore janë të përjashtuara nga llogaritja, dhe rrjedhimisht nuk përjashtohet askush për shkak se merr pension invalidor.
Por edhe nëse dikush ka të ardhura tjera nga biznesi apo nga paga, atëherë ato të ardhura përllogariten dhe përpjestohen me numrin e anëtarëve të familjes dhe përderisa mesatarja për anëtar është më pak se 150 euro/muaj, atëherë familja kualifikohet për subvencionim. Shembull: një veteran invalid i luftës, përveç pensionit mund të ketë të ardhura nga paga 400 euro/muaj, por nëse janë 5 anëtarë të familjes, atëherë mesatarja për anëtar i bie 80 euro/muaj, e që është nën tavanin prej 150 euro/muaj, dhe rrjedhimisht kualifikohet për subvencionim.
PS. Tani sa i përket programit:
Siç edhe e kemi thënë, ky program i zgjeruar i mbështetjes, sivjet është në fazën e pilotimit, dhe normalisht që do të ketë sfida gjatë implementimit. Prandaj edhe aplikimin e trajtimin e kemi bërë në disa grupe/faza.
Në grupin e parë kanë aplikuar afër 50 mijë familje, mirëpo një numër i konsiderueshëm i aplikimeve kanë gabime në shifrën e njehsorit, ose gjatë plotësimit të të dhënave tjera. Prandaj nevojitet që të ripërsërisin aplikimin me grupin e dytë, që do ta hapim së shpejti.
Gjithashtu, nga të dhënat kemi kuptuar që një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare. Kjo len të kuptohet që informata nuk ka arritur tek të gjithë, dhe do të synojmë që ta përmirësojme këtë përgjatë grupit të dytë.
Prandaj kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve, por edhe të mediave, përfshirë edhe median e përmendur në këtë postim, që bashkërisht të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket informimit dhe lehtësimit të procesit” shkruan Murati në reagim./