Mungesa e certifikatave, deklarohet MPB-ja

MPB është deklaruar për tenderin e certifikatave.

Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një komunikate për media njofton qytetarët e Kosovës se tenderi për furnizim me certifikata të gjendjes civile është në fazën e vlerësimit dhe se aktualisht shërbimet e gjendjes civile janë duke u kryer përmes dokumenteve të shtypura në letër të bardhë, por që përmbajnë nënshkrimin e zyrtarit të autorizuar dhe vulën.

“Gjithashtu ju njoftojmë se në janar të vitit 2019 kemi pasur një furnizim prej 600 mijë certifikatash por për shkak të numrit të madh të kërkesave ato janë shpenzuar brenda një afati të shkurtë kohor”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Sipas MPB-së këto shërbime kryhen nga të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile, nëpër të gjitha komunat dhe nuk ka nevojë për shqetësim nga ana e qytetarëve.

Po ashtu pajisja e qytetarëve me letërnjoftim është duke u bërë brenda afatit ligjor, 15 ditor.

“Sipas Ligjit për Letërnjoftim Nr. 05/L – 015, Neni 14 – Organi kompetent është i detyruar të lëshojë letërnjoftimin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës. Statistikat ditore dëshmojnë se nuk ka tejkalime të këtij afati.”, thuhet në komunikatë.

MPB sqaron se gjatë muajve të fundit janë paraqitur më shumë kërkesa për aplikim për dokumente personale si letërnjoftim dhe pasaportë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Agjencia për Regjistrim Civil ka kontratë valide për furnizim me letërnjoftime dhe furnizimet bëhen sipas kushteve të kontratës/Klina.info