Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë.
Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.
Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar.
Ndryshe avokati Arianit Koci, i cili është angazhuar për kthimin e trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, ka bërë të ditur se ka parë personalisht trupin dhe e ka konfirmuar identitetin e tij.
“Po e konfirmoj, e pash trupin e pajetë. Tani mbetet që edhe ekspertët tanë ta konfirmojnë këtë,” ka deklaruar Koci
Hajrizi, i arratisur nga një burg në Kosovë, sipas autoriteteve serbe vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ai dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani.
Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.
Ndërkaq, Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij./Telegrafi/