Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përshëndetë dhe e mirëpret miratimin e rezolutës për Kosovën të Këshillit të Ministrave të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), në sesionin e 47-të të saj, mbajtur në Niamey, kryeqytetin e Niger.
Përmes kësaj rezolute, shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik u bëjnë thirrje vendeve anëtare, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që të veprojnë në njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, duke shtuar se kjo do t’i shërbente paqes në rajon dhe më gjerë.
Në rezolutë përpos tjerash nënvizohen të arriturat e Republikës së Kosovës në fuqizimin e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve funksionale. Po ashtu, në rezolutë përmendet stabiliteti në vend, respektimi i të drejtave të njeriut sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat janë të mishëruar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Organizata për Bashkëpunim Islamik, gjithashtu, mirëpret bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ndërsa u bën thirrje vendeve anëtare të saj të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.