E infektuara me COVID-19 para një jave është kontrolluar në QMF, QKMF dhe Spital të Pejës
Pacientja 73 vjeçare nga fshati Llugaxhi e Pejës, që është diagnostifikuar dje me virusin COVID-19, javën e kaluar ishte kontrolluar nga mjekët në tri pika shëndetësore.
“Më 20 mars, pacientja së pari ka shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Baran, nga aty Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në Pejë dhe pastaj në Spitalin e Pejës. Ajo ishte ekzaminuar dhe është si jo e dyshuar”, tha Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë dhe drejtues i shtabit emergjentë në Pejë.
Sipas informacioneve që deri tash i kanë siguruar, Loci tregoi se 73 vjeçarja dyshohet se është infektuar nga një e afërme e saj nga Franca.
“Për momentin nuk e kam informacionin se kush është ajo femër nga Franca dhe në cilin vend është”, tha Loci.
Ndërsa drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skënder Dreshaj, nuk kishte njohuri që ajo paciente ishte kontrolluar para një jave në këtë spital.
“E di që dje ka qenë në spital dhe pasi ka pas simptoma të dyshimta e kemi dërguar menjëherë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Për datën 20 mars nuk e di. Ka mund me qenë pa simptoma, ndoshta në kohën e inkubacionit. Para se hynë në urgjencë, pritet nga personeli që e ekzaminon mos ka simptoma të dyshimta dhe nëse ka, kontrollohet në tendë jashtë spitalit, e nëse nuk ka simptoma të dyshimta, futet në urgjencë. Pra ekziston mundësia që është kontrolluar në tendë por nëse nuk ka pas simptoma është kontrolluar në urgjencë”, thotë Dreshaj.
Sipas tij, kontakti i personelit me masat mbrojtëse që i ka dhe dezinfektimi i hapësirës, e përjashton mundësinë e rrezikut real të infektimit të personelit me virus.
“Çka është më rëndësi, i gjithë personeli mjekësorë, pavarësisht se në cilin repart është, është komplet i veshur dhe i mbuluar me gjitha masat mbrojtëse nga infektimi nga virusi. Nuk ka asnjë kontakt me asnjë pacient pa masat mbrojtëse që e përjashtojnë mundësinë e bartjes së infeksionit”, thotë Dreshaj.
Tash, sipas tij, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e bënë anketën epidemiologjike dhe vijnë e kërkojnë dokumentacionin në spital.
“I vetmi rrezik për personelin mundet me qenë nëse nuk i ka zbatuar masat mbrojtëse dhe të ketë pasur kontakt të afërt. Por ne nuk kemi kontakt të afërt me asnjë pacientë”, tha Dreshaj.
Ndërkohë, Komuna e Pejës ju ka drejtuar me një thirrje publike qytetarëve të kësaj komune për vetëdisiplinë maksimale bazuar në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe vendimeve të Qeverisë së vendit për tu mbrojtur maksimalisht kundrejt rrezikut nga Covid-19