Fahri Beqa është mjek internist dhe kardiolog që jeton dhe punon në Berlin.
Ai gjatë gjithë kohës së pandemisë, që nga rasti i parë pozitiv me COVID-19, gjatë gjithë kohës ka qenë më se aktiv në rrjetin social e emisione televizive, jo rrallë herë ka shprehur shqetësimin e tij, veçmas gjatë kohës së fundit ku janë rritur rastet, por edhe kritik.
Së fundmi vjen i ashpër përmes një shkrimi, derisa shkruan se IKSHPK duhet të largojë nga lajmërimi i përditshëm kur konfirmon rastet e reja pozitive dhe të vdekurve, pjesën e fjalisë ku thuhet se “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje të reja shoqëruese”, transmeton Indeksonline.
Beqa thotë, se vetëm ai personalisht ka njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 e që s’kanë pasur sëmundje të tjera.
Ky është postimi i plotë i kardiologut kosovar:
IKSHP definitivisht duhet t’a largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese”.
Të paktën personalisht i kam njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese.
Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim u vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Poashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese. Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19. Sipas statistikave dhe analizave që databazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë.
Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve.