Në Kosovë, në 24 orët e fundit janë shënuar 214 raste pozitive me COVID, që e cila përben edhe rekord sa i përket numrit të të prekurve që nga fillimi i marsit. Por ajo që është edhe më e rëndë është fakti se, në 8 ditët e fundit ka pasur 35 persona të vdekur.
Mjeku infektolog, Hamdi Ramadani thotë se një situatë e tillë ka ardhur kryesisht për shkak të mungesës së koordinimit mes spitaleve.
“Numri i vdekjeve është rrëqethëse. Nuk ka një koordinim mes rajoneve, pasi në Kosovë ka spitale rajonale. Është bërë një gabim dhe të gjitha rastet janë dërguar në Klinikën infektive në Prishtinë’, tha z. Ramadani.
Sipas tij nëse do të kishte një bashkëpunim më të mirë nuk do të kishim këtë situatë ku spitalet që presin të prekurit në kryeqyteti janë thuajse në kapacitetin e tyre maksimal dhe sipas tij nëse nuk ndryshohet strategjia situata mund të bëhet serioze.
“Do të ishte krejtësisht ndryshe nëse do të bëhej një ndarje dhe rastet të mos dërgoheshin të gjitha në Prishtinë. Nëse do të vazhdohet në këtë drejtim, situata do të jetë shumë e rëndë dhe serioze”, tha mjeku.
Infektologu tha se, ende nuk dihet sa është realisht përhapja e coronavirus në Kosovë dhe për ta zbuluar këtë duhet nisja e testeve seriologjike që deri tani në Kosovë nuk ka nisur të kryhet ende.
“Në Kosovë ende nuk ka nisur testimi seriologjik. Ka të dhëna se në Kosovë ka mbi 200 mijë të infektuar, ne nuk mund t’i dimë këto të dhëna seriologjik”, përfundoi z. Ramadani.