Mjekët në QKUK ia heqin 11-vjeçarit një figurë e shahut nga rrugët e frymëmarrjes

Një fëmije 11 vjeçar i është shpëtuar jeta, pas komplikimeve që kishte pësuar si pasojë e pakujdesisë, ku një figurë e shahut, i kishte kaluar në rrugët e frymëmarrjes.

Fëmija së pari ishte sjellë nga familjarët në Shërbimin Klinik Emergjent të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe saturim të oksigjenit – 69.

“Nga Shërbimi Klinik Emergjent, i mbështetur me oksigjeno-terapi, transferohet në sallën e Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) të QKUK-së, ku edhe bëhet Trakeobronkoskopia me bronkoskop rigjid dhe arrihet të largohet trupi i huaj (figurë shahu) nga rrugët e poshtme të frymëmarrjes.

Ndërhyrja ishte shumë e vështirë për shkak të dimensionit të madh të trupit të huaj dhe pozitës së tij në rrugët e frymëmarrjes”, thuhet në njoftim.