MJEDISI NË KOHËN E KORONËS

Shkruan: Zeqir Veselaj

Prej fillimit të krizës e deri në fundin e marsit 2020, fjala “koronavirus” është klikuar mbi 8.7 miliard herë vetëm në Google. Fjala “ndryshime klimatike” që prej Samiti të Rio (1992) në të njëjtën platformë është klikuar 870 milion herë apo dhjetë herë më pak. Ekzistojnë tri të përbashkëta aktuale të ndryshimeve klimatike dhe koronavirusit. E para se të dyja janë të padukshme nga syri ynë, e dyta se vetëm pasojat janë të dukshme dhe e treta Kina si gjeneruesi më i madh i shkarkimeve të gazeve me efektin serrë si edhe vendi origjinës së virusit COVID 19. 

Egocentrizmi përballë ekocentrizmit
Thirrjet e ambientalistëve se duhet të shkurtonim sadopak shkarkimet tona dhe zvogëlonim kërkesën tonë ndaj natyrës thjesht u injoruan deri në persekutim të tyre. Logjika se mënyra moderne e jetës është e pandryshueshme në dinamikat e saj, fuqishëm u demantua në fillimvitin 2020. 
Një virus i padukshëm me prejardhje zoonotike, “kërceu” nga shtazët (lakuriqi ose pangolini apo edhe nga të dyjat bashkë me një mutacion gjenetik) dhe gjeti “mikpritjen” te qelizat e njeriut. Ambientalistët fanatik këtë kërcim ia atribuojnë sjelljes tonë ndaj mjedisit: kushtet e mjedisit të degraduar rëndë po lehtësojnë terrenin biologjik që të ndodhin mutacione të çuditshme jo vetëm te viruset. Ndryshimet klimatike, tregtia ilegale me shtazë të egra, prodhimtaria intensive e mishit sipas UNEP janë disa nga parakushtet mjedisore që lidhen me shfaqjen gjithnjë e më shpesh të pandemive përfshi këtë të fundit.  Koncentrimi i madh i njerëzimit  në ushqimin shtazor sipas tyre, edhe epidemitë e pandemitë po na vijnë nga viruset shtazor e jo nga ata bimor. Pas këtij hapi “të vogël për virusin por të frikshëm për njerëzimin”, COVID 19 nga pacienti 0 në Kinën  e largët u fut në secilën familje të botës. Po them në familje jo vetëm nga konteksti biologjik, po sidomos në kontekstin psikologjik. Asnjëri në familje nuk jemi i sigurt se tjetri anëtar rastësisht nuk e mori virusin dhe na e sjell brenda. Kjo shton kujdesin: secili ruhet nga secili dhe kështu të gjithë ruhemi së bashku.
Egocentrizmi ynë bëri që ndaj virusit korona të reagohet menjëherë dhe shumë fuqishëm. Shëndeti është individual do të thonin egocentriket, pasi në fund të fundit jeta e secilit është më e shtrenjtë se e kujtdo tjetër përreth tij. Ngrohja globale që po prodhon  ndryshimet klimatike ende shihet si diçka që nuk e prek direkt shëndetin individual por të dikujt tjetër, që është komplet egocentrizëm në qasjen e saj. Në fakt dihet mjaftueshëm për pasojat shëndetësore të ndryshimeve klimatike por jo edhe për rrezikun direkt në jetën tonë individuale. 
Ka shumë kohë që diskutohej pyetje utopike, nëse bota mundet të provoj jetën pa shkarkime ekcesive. Përgjigja thjeshtë ishte: e paimagjinueshme jeta pa udhëtime, pa fabrika, pa fluturime, turizëm, rekreacion. Ra ky virus dhe u pa se mund të ndodh. Në vitet 90-ta Gili këndonte një këngë “edhe pa ty po bajka, po bajka”. Po shohim sot rrugët e zbrazëta në metropole dhjetëra milionëshe, aeroportet e stërmbushura jo me udhëtar po me aeroplan të fikur, fushat e futbollit, basketbollit, ragbitë të thata. U mbyll për pelegrinët Meka e Vatikani dhe gjithë qendrat kulturore, historike e rekreative të botës për vizitorë. Gjithçka në “stand by”. Humbjet ekonomike sipas ekspertëve ekonomik janë trilionëshe dhe të njëjtit parashohin recesion të thellë global, por për të cilin nuk po ka guxim të flitet deri sa të shihen pasojat reale njerëzore dhe kohëzgjatja e pandemisë. E lexova një thënie interesante tragjikomike “koronavirusi më shumë do të falimentoj njerëz se sa do të mbys”. Francoise  Gemmene, drejtor i Hugo Institutes tha se “izolimi gjatë pandemisë do të shpëtoi më shumë jetë nga ndotja e ajrit se sa nga vet virusi. 

Implikimet mjedisore të koronavirusit
Pamjet satelitore nga NASA treguan rënie të dukshme shkarkimeve ndotëse në ajër këtë fillimvit. Këtë rënie nuk e shkaktoi virusi, por politikat të mbylljes së industrive dhe izolimit të njerëzve. Kjo rënie ishte rapide (deri 30%) në ajër mbi Kinë dhe Itali në piken e përballjes së tyre me pandeminë. Kanalet e Venecisë u kthjelluan dhe i bën të dukshëm peshqit pas shumë dekadash. Nga ekspertët që studiojnë Tokën, u raportua se niveli i zhurmës sizmikes në nivel global ra, si pasojë e kufizimeve nga izolimi. Një fat në fatkeqësi, nuk mund të quhet ende kjo situatë. Por kjo pandemi tregoi që megjithatë mundemi të kontrollojmë shkarkimet tona kur duhet dhe kur duam. Dhe që do na jap mësime për të ardhmen e afërt. 
Nëse mjedisi i jashtëm do kursehet gjatë kësaj kohe, presioni ynë pritet të  bartet brenda mureve ku jetojmë. Fillimisht izolimi e rrit konsumin e gjërave pasi njeriu kur rri brenda edhe konsumon më shumë ushqime (kur ka normalisht). 
Izolimi sjell shpenzim më të madh të ujit. Sidomos me këshillat e vyera që të lahen duart 20-30 me sapun sekonda pas daljes jashtë për t`i ikur infektimit. Por këto sekondat kërkohen që duart të fërkohen dhe jo që gjatë gjithë kohës të rrjedh uji mbi duar, pasi virusin nuk e heq uji që rrjedh por sapuni me vetitë  e tij kimike të lidhjes me mbështjellësin lipid të tij. Sepse atëherë konsumi i ujit do të rritej, një burim ky që edhe ashtu e kemi të kufizuar sidomos ne në Kosovë.
Shumica e gjërave sidomos në vendet e zhvilluara blihen të paketuara që d.t.th. gjëndërohen shumë mbeturina. Kompanitë e mbeturinave e kanë bukur vështirë t`i mbledhin dhe menaxhojnë në kushtet e kufizimeve në lëvizje. Në situatë paniku, shpesh duke blerë më shumë se nevojat, ushqimeve edhe tu skadoi afati i përdorimit që gjithashtu rrit vëllimin e mbeturinave. 
Problem më akut janë mbeturinat e medicinave. Ato të rriten ndjeshëm në vëllimin e tyre pasi: rrobat e dorëzat me një përdorim, pajisje tjera të mjekëve e stafit ndihmës gjenerohen shpejt. Duke ditur destinimin e tyre, këto kategorizohen në mbeturina të rrezikshme, të cilat kërkojnë trajtim special. Sa mund të ofrohet ky trajtim në Kosovë, vështirë të imagjinohet.  Izolimi rrit edhe konsumin e energjisë në televizor, ngrohje, përgatitje ushqimi shumëfish nga e zakonshmja. 
Në Kosovë u pa një lloj migrimi revers javët e fundit: shumë njerëz nga qytetet e kryesisht nga Prishtina u larguan në drejtim të fshatrave. Dhe kjo është gjë e mirë, pasi sadopak rrit distancën fizike mes njerëzve.

Secila krizë është një mësim dhe mundësi
A po na bën kjo krizë të kuptojmë se ne jemi pjesë e natyrës dhe jo zotëruesit e saj. Nga nikoqiri shtazor pa ndonjë rrezik për ne, virusi u bë i rrezikshëm kur njeriu u kthye në bartësin biologjik të tij. Pra ne jemi bërë “lakuriqi i ri” i virusit. Epoka e Antropocenit, tashmë po na përballon me gjëra të paprovuara më parë. Krizat po sjellin mësime të reja dhe të nevojshme për njeriun. Globalizimi ekonomik, krahas përparimit shoqëror solli edhe degradimin e dukshëm ekologjik që po kërkon përgjigje të reja. Kërkesa jonë mbi resurset natyrore të Tokës (ujë, ushqim, energji etj.) ka kaluar kufirin mbajtës të saj. Edhe kapaciteti bartës i shkarkimeve tona në mjedis është jashtë kufijve planetar sidomos për dikosidin karbonin dhe mbeturinat e gjeneruara.
Virusi dhe dëmet e tij do të kalojnë, sepse bota ka kontrolluar virus edhe më të rrezikshëm se ky. Shkalla e reagimit në rastin e pandemisë ishte marramendëse: trilionë dollar u ndanë menjëherë si fonde emergjente (rasti i SHBA-së, Gjermanisë etj.), u mbyll jeta publike madje u kufizuan shumë të drejta e liri të njeriut (gjendjet e jashtëzakonshme dhe të emergjencës në shumë shtete).
Ngrohja globale nuk do të ndalet, pavarësisht se 11,000 shkencëtar nga 153 shtete të botës kanë vënë alarmin e emergjencës klimatike. Për ndryshimet klimatike, sipas Naomi Oreskes ka shkuar një rrugë e ngjashme por shumë më e gjatë  “me dekada u mohua si problem, tash pranohet por po debatohet shkalla e rrezikshmërisë dhe nesër do konsiderohet shumë i shtrenjtë për zgjidhje dhe se zgjidhjet e mundshme do të kufizojnë liritë dhe të drejtat tona”. Korona na mësoi se kur njerëzimi e kupton vërtet rrezikun për jetën e vet, reagon shumë shpejt. Ky është mësimi bazë që na dha virusi i padukshëm, po që po drithëron njerëzimin.

 

Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës