Mirush Dakaj ishte njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai radhitet në mesin e prijatarëve të lirisë së vendit tonë. I paharrueshëm do të mbetet edhe në angazhimin e kontributin e tij prej luftëtarit internacionalist, duke marrë pjesë dhe duke luftuar heroikisht, në luftën çlirimtare të popullit kroat dhe boshnjakëve myslimanë të Bosnjës dhe Hercegovinës, kundër regjimit shtypës, autarkik dhe kriminal të Serbisë në vitet 90 të shekullit XX. Mirush Daka i takon plejadës së luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve e liribërësve jo vetëm të Kosovës por edhe popujve të tjerë të shtypur e të robëruar të ish-Jugosllavisë.
Mirushi ishe i biri i Kurtish dhe Ajete Dakajt. U lind në fshatin Caravik të Klinës, më 1 janar të vitit 1962. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore të fshatit Kijevë, ku shquhet në mësime. Shkollën e mesme e filloi në Klinë, ndërsa e kreu në Drenas, (ish-Gllogoc) të Drenicës. Kishte regjistruar studimet në Universitetin e Prishtinës, por nuk i kreu. Duke parë dhe duke përjetuar mbi kurriz dhunën e regjimit okupator serb, sidomos pas suspendimit të autonomisë së Kosovës, Mirush daka largohet nga vendi dhe për një kohë të gjatë humb kontaktin edhe me familjen.
Me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe përpjekjeve antiqytetëruese që po bënte regjimi i Beogradit për të ruajtur shtetin federal, që me të drejtë konsiderohej si një burg i madh i kombeve dhe popujve, Mirush Daka qartëson pozicionin e tij, duke mbështetur luftën e popujve që kërkonin shkëputje nga regjimi hegjemonist i Beogradit.
Kishte një simpati të jashtëzakonshme për politikanët sllovenë të cilët u bashkuan me popullin dhe pa humbje të mëdha u shkëputen nga Jugosllavia. Asokohe ndodhej në Slloveni dhe iu kishte bashkuar radhëve të sllovenëve liridashës.
Sapo kishte filluar lufta në Kroaci, në tetor të vitit 1991, Mirush Daka ashtu sikur edhe shumë shqiptarë liridashës nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare nën robërinë serbe, iu kishte bashkuar formacioneve vullnetare të forcave çlirimtare të Kroacisë. Asokohe, ishte në mesin e luftëtarëve dhe veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare si Bekim Berisha, i njohur si ABE-ja, pastaj Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Gëzim Hamza, Naser Ademi, Naim Maloku dhe qindra luftëtarë shqiptarë, që kishin marrë pjesë aktive në luftë për çlirimin e Kroacisë. Për Mirushin dhe luftëtarët shqiptarë ishte e rëndësishme të luftohej armiku i njëjtë, të dobësohej sa më shumë dhe të diskreditohej para botës si regjim shtypës e diktatorial. Ai e dinte se do të vinte radha për të luftuar edhe në Kosovë.
Me rastin e shpërthimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë, kur ushtria jugosllave rrethoi Sarajevën dhe filloi masakrimin e popullatës myslimane boshnjake, Mirush Daka dhe shumë luftëtarë shqiptarë i bashkohen luftës kundër makinerisë së regjimit të Beogradit. 17 muaj ka qëndruar në mesin e luftëtarëve boshnjakë duke luftuar kundër masakruesve serbë, të cilët në Bosnje kishin kryer gjenocid dhe krime të papara të luftës. Për luftën dhe heroizmin e tij kanë folur me respekt oficerët boshnjakë e kroatë.
Në vitin 1997, Mirush Daka shkon në Gjermani, te vëllai i tij Bashkimi. Duke qenë në dijeni të aktiviteteve ilegale luftarake, që tashmë kishin filluar në Kosovë dhe të cilat komandoheshin nga Komandanti legjendar Adem Jashari, ai bie në kontakt me Fehmi Lladrovcin e bashkëluftëtarë të tjerë dha në pranverë të vitit 1998 bëjnë përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.
Më 11 mars të vitit 1998, Mirush Daka, së bashku me Bekim Berishën, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladvoci, Sami Lushtakun, Kadri Hamitin, Fatmir Limajn, Xhelal Hajdën, Abedin Rexhën, Agim Bajramin, Haxhi Shalën e të tjerë depërtojnë në Kosovë dhe fillimisht vendosen në Likoc, ku asokohe ndodhej kreu i luftës çlirimtare.
Sapo ishte kthyer në Kosovë kishte vizituar edhe familjen. Ishte shmallur me ta dhe iu kishte kërkuar që të mos brengoseshin sepse ai tashmë kishte marrë pjesë në dy lufta dhe nuk e merrte dot plumbi i shkaut. Mund të më vrasë vetëm ai nga i cili nuk e pres plumbin e jo armiku, u kishte thënë në ndarje prindërve, motrrave e vëllezërve.
Fillimisht kishte vepruan në Likoc, pastaj në pikën luftarake të Abrisë, më vonë në Rezallë e në Llaushë dhe gjithë andej ku zhvilloheshin luftime.
Në fund të marsit të vitit 1998, Mirush Daka kthehet në vendlindjen e tij, në Ceravik ku pas një kohe formon njësitin e armatosur me luftëtarët e lirisë të kësaj ane të Kosovës. Në mesin e luftëtarëve kishte angazhuara edhe vëllezërit e tij Abedinin e Nuredinin.
Njësiti luftarak të cilit i printe Mirush Daka i njohur si Komandant “Korbi”, nofkë të cilën e kishte bartur edhe gjatë luftërave në Kroaci e në Bosnje, kishte marrë vendim të stponte qarkullimin e forcave ushtarake e policore serbe në relacion Caravik Kijevë.
Ai kishte fituar në përvojë të shkëlqyer në luftë, andaj përvojën e tij e zbatoi në organizimin e luftës guerile me moton, “Sulmo befasisht dhe tërhiqu pa humbje”. Kishte mobilizuar djalërinë militante të fshatit e të fshatrave përreth, me të cilët kishte hapur istikame në pikat strategjike sikur ishte ajo në “Shpatin e Kijevës” apo sikur quhet edhe, “Malishtat e Bashotëve”. Në këtë pikë luftarake ai stpoi autoblindat e makinerinë serbe të demonstronte forcë e të futej shpengueshëm nëpër fshatrat shqiptare.
Më 14 prill të vitit 1998, derisa Mirushi me bashkëluftëtarët e tij po hapnin istikame, mbi kokat e tyre kishte kaluar ulët një helikopter i armatës jugosllave. Ai e kishte kuptuar se helikopteri po vëzhgonte bazat e UÇK-së. Meqë kishte vendosur ta sulmonte helikopterin, ai kishte urdhëruar drejtorin e Shkollës së fshatit, Gani Bashota që t’i fuste nxënësit në shkollë, nga frika se kur të sulmonte, serbët mund të hakmerreshin dhe mund të vriteshin nxënësit. Sapo nxënësit ishin futur në shkollë, Mirush Daka kishte sulmuar helikopterin, i cili kishte humbur drejtimin dhe ishte zhdukur në malet e Lutogllavës.
Komandant “Korbi” me njësitin e tij vazhdimisht kishte sulmuar forcat serbe në lëvizje në aksin rrugor Klinë-Kijevë.
Më 8 maj të vitit 1998, në fshatin Balincë, në vendin e quajtur “Rezja e Kelmendit” Mirush Daka me trimat e tij sulmon forcat serbe në një afërsi pre disa dhjetëra metrave. Sulmi kishte qenë i furishëm dhe forcat serbe kishin pësuar humbje në policë dhe teknikë luftarake.
Duke folur për shpirtin luftarak dhe guximin e pashembulltë të Mirush Dakës, eprori i lartë i UÇK-së, Sokol Bashota thotë se Komandant Mirushi ishte nga ata komandantë, i cili u thoshte ushtarëve të tij, eni pas meje, unë po ju prij dhe jo, shkoni ju atje se unë po u ruaj nga prapa.
Me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, nga njësitet e UÇK-së, Mirush Daka po projektonte zënien e grykës së Dollcit, me qëllim që ta fuste në rreth postbllokun serb në Kijevë. Duke folur për këtë ide të tij, ish- eprori i lartë i SHP të UÇK-së dhe bashkëluftëtari i tij, Rexhep Selimi shpjegon se si luftëtar me përvojë tërë angazhimin e tij e kishte orientuar në futjen në rrethim të Kijevës, ide të cilën ai edhe e kishte realizuar, duke i sulmuar në vazhdimësi forcat serbe, atje ku nuk e prisnin.
Duke folur për aktivitetin e pandërprerë luftarak të Mirush Dakës, bashkëluftëtari i tij, eprori i UÇK-së Bedri Gashi, rrëfen se në maj të vitit 1998, Mirushi me një grup luftëtarësh i kishte kërkuar edhe disa armë për ta armatosur mirë grupin e tij. “Meqë kishim ia dhashë pesë armët që më kërkoi. U gëzua pa masë dhe përnjëherë, me ushtarët e tij u nis në drejtim të caktuar. Disa orë më vonë, pasi kishte kryer sulmin, m’ i ktheu armët duke më falënderuar sërish”.
Në mesin e muajit qershor, Mirushi me bashkëluftëtarët e tij sërish kishte sulmuar punktet serbe në magjistralen Klinë-Kijevë. Serbët në këtë rrugë janë sulmuar pandërprerë edhe nga njësitet luftarake të cilat i komandonte Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarët e tij. Për trimërinë, guximin dhe strategjinë luftarake të komandant Murush Dakës dëshmojnë edhe bashkëluftëtarët e tij: Ardian Toplanaj, Ismet Maloku, Hamdi Haxhaj e shumë të tjerë.
Forcat ushtarake e policore serbe, në këtë rrugë për një kohë kishin mbetur të bllokuara. Si duket komanda e tyre kishte urdhëruar përforcime, me ç’rast kishin dërguar forca të shumta tokësore dhe një aeroplan ushtarak.
Pas barrikadimit të kësaj rruge, Komandant “Korbi” shkon në Likoc ku ndodhej SHP i UÇK-së dhe parashtron idenë e tij për të bllokuar përfundimisht magjistralen Klinë-Kijevë, në Pikën e Dollcit. Shtabi kishte marrë vendim dhe për të kryer këtë aksion kishte dërguar edhe përforcime njësitin luftarak “Alfa” dhe “Graniti”.
Pas luftimeve të pareshtura më 18 qershor të vitit 1998, Mujë Krasniqi dhe Mirush Daka me bashkëluftëtarët e tyre zënë Grykën dhe bllokojnë postbllokun e forcave policore e ushtarake serbe në Kijevë, të cilat kishin mbetur të ngujuara për afër dy muaj. Po atë ditë, forcat e UÇK-së në fshatin Gllarevë ndërmarrin një aksion të fuqishëm kundër forcave serbe. Luftimet ishin zhvilluat fyt për fyt, në një distancë deri në 20-30 metra. Në ato luftime të ashpra janë dalluar, Mirush Daka, Mujë Krasniqi, Sahit Jashari nga Prekazi, Besim Morina e shumë luftëtarë të tjerë emblematikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 3 korrik 1998, gjatë luftimeve ballë për ballë kundër forcave serbe bie dëshmor luftëtari, Muhamet Haxhaj, nga Qëndresa, ish Gllarevë. Pikërisht te vendi ku kishte rënë dëshmori, Muhamet Haxha, Mujë Krasniqi kishte marrë në shenj dhe kishte vrarë një oficer serb. Po atë ditë luftëtarët e lirisë së Kosovës kishin djegur disa automjete të focave serbe. Mjetet e informimit në Serbi kishin pranuar botërisht se gjatë luftimeve kishin përsuar humbje në policë dhe teknikë lufte.
Pas zënes së Grykës së Dollcit, Kijeva për një kohë mbetet e bllokur. Forcat serbe në asnjë mënyrë nuk mund të depërtonin përmes rrugëve të bllokuara. Ata tashmë po kontaktonin vetëm përmes helikopterëve, duke dërguar përforcime, municion dhe ushqime në postbllokun e tyre në Kijevë.
Bllokimi i Forcave serbe në Grykën e Llaushnikut dhe në Grykën e Dollcit, kishte bërë që pjesa dërrmuese e rajonit të Drenicës të shpallej zonë e lirë. Forcat serbe kishin paralajmëruar se për marrjen e këtyre dy Grykave të ndërmerrinin një ofensivë të përgjithshme, e cila edhe ishte lejuar nga faktoi ndërkombëtar. Ofansiva serbe, në shkallë të gjëre, ishte ndërmarrë më 24 e 25 korrik të vitit 1998, me përqendrim të veçantë në Grykën e Llapushnikut dhe në çarjen e rrethimit për te depërtuar në Kijevë.
Duke qenë i sprovuar në luftë, pas zënies së Grykës dhe mbetjes në rrethim të civilëve serbë, të cilët ishin përfshirë në luftë, Mirush Daka me bashkëluftëtarët e tij shkon në fshain Mleçan dhe urdhëron serbët vendorë që për disa orë të largohen nga fshati i tyre, meqë nuk u siguronte dot jetën. Ata kishin dorëzuar armatimin dhe ishin larguar.
Në kohën e ofensivës serbe të verës së vitit 1998, më 24 dhe 25 korrik, Mirush Daka ishte sëmurë, meqë ishte plagosur. Edhe pse në gjendje të tillë ai nuk e pushoi automatikun dhe mitralozin e tij në luftë kundër forcave serbe.
Më 1 shtator kishte filluar përgatijet ushtarake për të sulmuar postbllokun serb që ishte vendosur te “Mulliri i Kijevës”.
Më 11 shtator të vitit 1998, derisa pikat luftarake të UÇK-së ishin duke rezistuar nga një ofensive e forcave serbe që vinte nga Rezalla, duke kaluar nëpër fshatin Golluboc, në krye të detyrës bie dëshmor, Mirush Daka, njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroi i luftës në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë. Po atë ditë plagoset edhe vëllai i tij Nuredini dhe bashkëluftëtari, Arben Maloku.
Mirush Daka nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë vëllezërit: Abedinin, Nuredinin, Bashkimin dhe motrat: Florijen, Mihrijen, Sevdijen, Nakijen e Bahrijen.
Familja Daka ka marrë mirënjohje nga SHP i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, si dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.