Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën projektbuxhetin për vitin 2024.
Vlera e buxhetit do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, derisa kryeministri Albin Kurti ka treguar për mjetet e ndara në secilin sektor.
Buxheti për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë do te jetë rreth 370 milionë euro.
“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë.
Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht”, ka deklaruar Kurti.
Lidhur me projektbuxhetin, Front Online ka kontaktuar me njohës të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ish-komandati i FSK-së, Kadri Kastrati e quajti të qëlluar vendimin e Qeverisë për të rritur buxhetin për mbrojtjen.“Unë e kam parë si pozitive rritjen e buxhetit për 2024 nga sa ka qenë 156 vitin e kaluar. Qeveria ka bërë punë të mirë sa i përket rritjes së buxhetit për Forcën.
Duhet të investohet në pajisje, armatim dhe çështje infrastrukurore”.Ky bëri apel që të rriten edhe pagat e ushtarakëve.
“Mendimi është që paga e ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve te rinj, nuk është e kënaqur. Duhet rritur paga për t’i mbajtur në FSK. Qeveria duhet ketë kujdes në këtë drejtim me pagat.
Të jenë sikurse në vendet e tjera të rajonit”, potencoi Kastrati.Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, e pa si të nevojshëm rritjen e buxhetit për fushën e sigurisë, konkretisht për MPB-në.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka objektiva të planifikuar më herët, punë që i planifikon gjatë vitit. Po besoj që shtesat kanë qenë të nevojshme sigurisht për projekte për konsolidimin e sigurisë dhe mekanizmave që e kanë parësor sundimin e ligjit”.
Veprimi i Qeverisë, sipas tij, është i mirëpritur shkaku edhe i agresionit serb së fundmi në vend.“Veprim i drejtë dhe i qëlluar. Sidomos tash pas veprimeve te shtetit fqinj, e kom fjalen tek agresioni i 24 shtatorit”, theksoi Hoxha