MIRATOHET RAPORTI PËR KOMPENSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA VËRSHIMET

Kuvendi Komunal Klinë ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen e zonave të përmbytura pas vërshimeve nga reshjet e fundit të muajit janar.

Seancën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi dhe të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj,anëtarë të Kuvendit, drejtorë të Drejtorive, përfaqësues të Policisë së Kosovës, rajonit në Klinë, përfaqësues të OSBE-së dhe media.

Kjo seancë hapi punimet me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri.

Para të pranishmëve, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, z. Qendrim Millaku, shpalosi raportin e Komisionit për vlerësimin e gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.

“Në total kanë qenë 464 kërkesa nga qytetarët të llojeve të ndryshme infrastrukturore, bujqësore dhe në të mira materiale.
Raporti i Komisionit përmban të dhënat e hollësishme për vlerësimin e secilit person që ka pësuar dëme nga këto vërshime.
Vlera totale e dëmeve në komunën e Klinës është 4,025,576.10 euro, e që janë vlera të dëmeve në amvisëri, ekonomi familjare, biznese dhe në infrastrukturë publike” – ka thënë drejtori Millaku.

Kuvendi me të gjitha votat pro miratoi raportin e Drejtorisë për Shërbime Publike për vlerësimin e dëmeve.

Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi i kryetarit Elezaj për subvencionimin e qirasë të tre familjeve në nevojë të cilët nuk kanë kushte banimi nga vërshimet e fundit.