Me 63 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sonte në lexim të dytë projektligji për buxhetin për vitin 2024.
Në sallë ishin të pranishëm 64 deputetë nga mazhoranca, derisa opozita nuk mori pjesë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, para votimit në lexim të dytë të projektligjit për buxhetin 2024, u bëri thirrje deputetëve të jenë të pranishëm në sallë, për të siguruar kuorumin e nevojshëm.
Gjatë seancës plenare nuk u mbështetën disa amendamente të propozuara nga deputetët opozitarë, në mënyrë që ato të përfshihen në projektligjin e dytë për buxhet.
Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së, propozoi amendamentin për asfaltimin e rrugës në Buricë të Podujevës, në gjatësi 1.2 km, projekt ky në vlerë 250 mijë euro, i cili nuk gjeti mbështetjen e shumicës, duke marrë vetëm 20 vota pro, teksa 44 deputetë u shprehën kundër dhe gjashtë abstenime.
Po ashtu nuk gjeti mbështetje as amendamenti i propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu i PDK-së për ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit Agim Ramadani në Mitrovicë, në shumë 100 mijë euro.
Mbështetje nuk gjetën edhe amendamentet e propozuara nga deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj që pensioni bazë të rritet nga 100 në 120 euro, ai për rrugën Pejë-Kuqishte-Çakorr, për të cilën janë paraparë dy milionë euro, si dhe ai për hulumtime shkencore në Kosovë, duke kërkuar formimin e një fondi prej dy milionë eurosh.
Po ashtu, mbështetje nuk gjetën as amendamentet e deputetit të PDK-së Elmi Reçica për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj, ndërtimin e objektit të spitalit në Ferizaj, ndërtimin e shkollës profesionale në Ferizaj, ndërtimin e objektit shkollor në Doganaj Kaçanik, sikurse edhe ai për ndërtimin e kanalit të ujitjes në Kaçanik.
Ndryshe, gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit 2024, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se në buxhetin e parashikuar prej më shumë se 3.3 miliardë eurosh do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se sa në vitin aktual.