Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar të enjten se ka miratuar rekomandimin për dozën e katërt të vaksinës anti-COVID.
Siç bëhet e ditur në njoftim, doza e katërt lejohet për grupmoshën mbi 60 vjeç, të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së tretë.
MSH-ja ka thënë se vaksinimi bëhet në qendrat e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat e Kosovës.
Ministria ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen, pa hezitim, për të parandaluar rritjen e rasteve të COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga kjo sëmundje.
Vendimi vjen në fazën kur në Kosovë ka nisur një trend rritës i rasteve pozitive me COVID-19.
Trendi i vaksinimit ka shënuar rënie. Sipas raportit zyrtar të së mërkurës, për 24 orë janë administruar vetëm 78 vaksina. Sipas njoftimit të MSH-së, deri tash në nivel vendi janë administruar 1.83 milionë doza. 103 mijë e 344 është numri i qytetarëve me dozë të tretë të vaksinës, ndërsa 823 mijë janë me nga dy doza.