Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për rënien e blloqeve në termocentralin “Kosova A”, që ndodhi para disa ditësh. Ajo tha se nga KEK-u i kanë arsyetuar se bëhet fjalë për shkaqe teknike.
Para Komisionit për Ekonomi, Rizvanolli tha se KEK-u dhe KEDS kanë formuar një komision hetimor për të zbardhur këtë rast.
“Aktualisht, KEK-u nuk ka kontratë me ndonjë operator jashtë vendit për eksportim të energjisë. Të paktën për eksport të thëngjillit. KEK-u i shet Kosova thëngjillit i cili më pas i shet palëve të treta. Për rënien e blloqeve kjo ka qenë një pyetje që unë ja kam bërë KEK-ut. Jam informuar se problem teknik ka ndodhur në nivel të transmisionit.”
“KEK dhe KEDS kanë formuar një komision për të parë se cila është arsyeja dhe nëse ka mundur që të parandalohet. Në fakt, pikërisht arsyeja pse kam pyetur unë është se kam dashur që të dijë se a ka qenë gabim njerëzor i cili ka mundur të parandalohet dhe parashikohet apo ka qenë thjeshtë teknik e rastit”, ka thënë ajo.
Sipas Rizvanollit, sipas informacioneve fillestare rënia e blloqeve ka ndodhur si pasojë e problemit teknik.
“Ky Komision nuk e ka përfunduar ende raportin, por besohet se nuk ka qenë gabim njerëzor por teknikë e rastit, por raporti do të zbardhë më shumë detaje lidhur me këtë”, tha më tutje ajo.