Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë Gjermania qëndron krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake.
“Unë e kam siguruar palën kosovare se ne qëndrojmë krah Kosovës edhe për sa i përket mbështetjes ushtarake, ne jemi në kuadër të KFOR prej vitesh të angazhuar dhe do të jemi edhe më tej. Ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe për sa i përket trajnimit të FSK-së, do të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Lambrecht tutje ka thënë se Gjermania e mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Ajo ka shtuar se ky rrugëtim mund të ketë edhe pengesa për të cilat thotë se do ta ndihmojnë Kosovën t’i tejkalojë.
”Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE po ashtu edhe në NATO. Por ky rrugëtim duhet të bëhet, por mund të ketë edhe pengesa. Kjo nënkupton që edhe sa i përket anëtarësimit në BE, po mundohemi t’i japim shtytje këtij procesi në mënyrë që pengesat të hiqen. Ne e shoqërojmë Kosovën në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, ka shtuar tutje Lambrecht.
Lambrecht tha se shpreson që më 13 maj, në takimin e palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, do të ketë vendime të mira.
”Ne do t’ju qëndrojmë përkrah në rrugën e procesit të anëtarësimit të Kosovës si një vend partner mbështetës, dhe këtu duhet të bëhet e qartë se cilët hapa janë të qartë të ndërmerren në procesin e përafrimit në dialog dhe shpresoj të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel”, ka thënë ajo.