Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka qëndruar sot për vizitë tek familja Magashi, pas tragjedisë që i ndodhi ku Hamide Magashi së bashku me fëmijën ende të palindur, ditë më parë u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ministrja Haxhiu në një prononcim u zotua që nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Po, së bashku me kabinetin dhe deputetë ishim tek familja e të ndjerës Hamides, për ngushëllime. Dhimbje e madhe si për familjen ashtu edhe për ne. Përveç shprehjes së ngushëllimeve, u zotova që puna në adresimin e papërgjegjësisë do të vazhdojë dhe nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur derisa secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave të ndëshkohet për këtë”, tha Haxhiu për Telegrafin.
Ajo shtoi se janë në pritje të raporteve nga QPS-ja për 4 zyrtarët e suspenduar.
“Siç e keni parë dje janë suspenduar 4 zyrtarë, ata do të procedohen edhe penalisht. Jemi në pritje të raporteve nga QPS dhe inspektorati shëndetësor”, tha Haxhiu./Telegrafi