Ministria e Uran Ismailit kishte refuzuar donacionin me 1 milion maska nga Kanadaja

Një donacion me mbi 2 milionë masaka ishte nisur nga shteti i Kanadasë drejt dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2018.

Por, rreth 1 milion nga to nuk arritën kurrë në Kosovë pasi Ministria e Shëndetësisë duke u thirrur në procedurat e tyre kishte pamundësuar hyrjen e tyre në vend.

KALLXO.com mëson se maskat që po ruheshin në depot e rezervave të shtetit e Shqipërisë tashmë janë vënë në qarkullim nga qeveria shqiptare dhe po përdoren për parandalimin e sëmundjes në Shqipëri.

Këtë e ka konfirmuar ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ministria e Shëndetësisë, që udhëhiqej nga ministri, Uran Ismaili në atë kohë, kishte vlerësuar se organizata shqiptare “Sos of Eagle” nuk i kishte plotësuar kushtet për pranimin e donacionit të maskave dhe pajisjeve tjera medicinale.

Donacioni i organizatës shqiptare kishte mbërritur deri në portin e Durrësit, por ai nuk u lejua të futet në Kosovë pasi nuk i kishte plotësuar disa kritere, kanë thënë nga kabineti i ish-ministrit, Uran Ismaili.

https://kallxo.com/wp-content/uploads/2020/03/Packing-List-Sons-of-Eagle-Foundation-Canada-03-12-2018-1.pdf

Kushtrim Shkodra, këshilltar i lartë politik i ish-ministrit, Uran Ismaili, në një bisedë për KALLXO.com ka shpjeguar ngjarjen sesi donacioni u refuzua në vitin 2018.

“Ka qenë një organizatë shqiptare “Sos of Eagle” ku në vitin 2018 e kemi pranuar një kërkesë të një zyrtari të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të një zotëriu me mbiemrin Hoti, Ahmet Hoti nëse nuk gaboj. Ata kanë qenë të interesuar që të sjellin një donacion, për maska por edhe pajisje tjera”, ka thënë Shkodra.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë ekziston një komision për donacione i përbërë nga profesionistet dhe punojnë bazuar në ligjin që është në fuqi e që në të specifikohen kushtet dhe kriteret që një donator duhet me i plotësu në mënyrë që donacioni me u pranu nga institucionet e Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Shkodra tha se janë një varg kriteresh që duhet të plotësohen para se të pranohet një donacion nga shtetet e jashtme dhe për këtë, ai thotë se ekziston edhe baza ligjore.

“Për shembull, ata duhet me pasë një institucion ku i sjellin, një spital apo diçka të tillë dhe një numër të caktuar të dokumenteve që ata duhet me i marrë në shtetin e origjinës prej nga e bijnë donacionin”, ka deklaruar ish-këshilltari i lartë politik i Uran Ismajlit.

“Unë kam marrë informata që shoqata e tyre nuk është duke e kompletuar dokumentacionin, aty nevojitet një certifikatë e origjinës së produkteve, nevojitet një certifikatë e cila garanton për kualitetin e pajisjeve, ata nuk kanë qenë në gjendje me i kompletu dokumentet”, ka thënë tutje Shkodra.

Ai e ka pohur se donacioni me maska dhe pajisje tjera ka ardhur deri në portin e Durrësit, por nuk ka mbërritur asnjëherë në Kosovë pasi nuk i kishte plotësuar kushtet organizata shqiptare.

“Ne e kemi falënderuar shumë herë atë djalin, po nuk kemi mujtë me e shkel ligjin për me i pranu donacionet. Ata kanë sjellë donacione, sa e di unë edhe më herët, por i kanë plotësuar dokumentet, por për këtë rast jo”, ka thënë në fund ai.

Në Kosovë deri më tani janë evituar 13 raste me virusin COVID-19 i cili, në shumë vende të botës po merr jetë njerëzish.

Në Kosovë deri më tani janë evituar 13 raste me virusin COVID-19 i cili, në shumë vende të botës po merr jetë njerëzish.

Në Kosovë tashmë janë marr masat e para, ku edhe tri komuna janë izoluar, ndërkohë problemet e pajisjet mbrojtëse, siç janë edhe maskat, janë shfaqur në shumë prej spitaleve kryesore të vendit.