Ministria e Shëndetësisë nuk do të ashpërsojë masat antiCOVID edhe pse varianti Omicron i COVID-19 i cili është më i transmetueshëm se variantet tjera, është identifikuar në Kosovë.
Fundviti, nuk pritet ta gjejë Kosovën me masa të reja përveç atyre që janë në fuqi.
9 raste të infektuara me COVID, pas testimeve të kryera kanë dal pozitiv me variantin Omicron.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se aktualisht po zbatohen masat të cilat janë në fuqi dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë rekomandim për ashpërsimin e tyre.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë rekomandim për ashpërsimin e masave Anti-COVID edhe pas identifikimit të 9 rasteve të infektuara me variantin e ri Omicron të COVID-19 në vend.
Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur për Express se Komisioni këshillëdhënës lidhur me pandeminë COVID-19 u jep rekomandime lidhur me masat kundër COVID-19, bazuar në situatën epidemiologjike të IKSHPK-së në vend, ecurisë së pandemisë në vendet e tjera, dinamizimin e situatës epidemiologjike dhe rekomandimet që jepen edhe nga mekanizmat si OBSH e ECDC.
Sipas tyre, duhet të respektohen masat të cilat janë në fuqi si dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë.
“Aktualisht janë në fuqi një seri masash të cilat duhet të zbatohen për përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë, ndërsa Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit të tyre apo lirimit të tyre. Pra çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, kanë treguar ata.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se masat aktuale janë në përputhje me situatën epidemiologjike në vend.
Ai ka thënë se për të pasur një situatë më të qetë epidemiologjike, qytetarët duhet t’i respektojnë ato.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm, qytetarët të përcjellin me kujdes të madh mesazhet dhe këshillat mjekësore. Kjo nënkupton që masat të cilat janë në fuqi e masat e përgjithshme, maskat, distanca, higjiena, janë tepër të rëndësishme edhe në luftën kundër Omicron”, ka deklaruar ai.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur dje se nga testimi i 22 mostrave të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive me variantin e ri.
Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste:
2 raste janë të importuara nga SHBA-të,2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar,1 rast është i importuar nga Franca dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historine e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.