Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të largohet masa për vetizolim 7 ditor për ata që futen në territorin e Kosovës, nga data 8 qershor.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media.
Zemaj tha se liri të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave do të ketë në veçanti me Shqipëri, derisa tha se kanë pranuar kërkesa edhe nga qytetarët e Luginës së Preshevës.
“Bazuar në rekomandimit e IKSHPK-së, nga dita e hënë, 8 qershor 2020, qytetarët të cilët hynë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për COVID-19, ata që do të hyjnë do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe nga vetë QKMF-të nëpër komuna. Bazuar në situatën epidemiologjike, Qeveria e Kosovës do të lejojë liri të lëvizjes së qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, derisa kemi adresuar edhe kërkesa të shumë studentëve dhe qytetarëve nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që edhe ndaj tyre të mos aplikohet kufizime që paraqesin pengesa për lëvizja e lirë e tyre”, tha Zemaj.
/