Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kanë marra masa ndaj Institucionit Privat Shëndetësor “Doktorat”, ku vdiq një paciente gjatë trajtimit.
MSh thotë se kjo ordinancë ka ushtruar veprimtari ilegale, teksa kanë kërkuar dënim maksimal ndaj të dyshuarve.
“Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoriatit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare. Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në reagimin e MSh-së.
Tutje nga ministria njoftojnë se janë duke shqyrtuar raportet e komisionit të licencimit të këtij institucione.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat. Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet tutje në reagim.
Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm shëndetësor.
Një 35-vjeçare ka vdekur pasi ka shkuar për ta hequr dhëmbin në këtë institucion privat shëndetësor.