Ministria e Mbrojtjes nuk ka ditur të bëjë një përllogaritje të kursit valutor në kohën e duhur kur ka blerë disa automjete taktike. Si pasojë e kësaj janë paguar mbi 60 mijë dollarë më shumë se sa ishte e paraparë në kontratë.
Sipas kontratës ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe një kompanie për furnizim me automjete taktike me pajise shtesë, neni 4 çmimi, pika 2 thekson që kursi mesatar i këmbimit (USD/EUR) duhet të merret nga BQK ose nga Banka Evropiane në ditën e nxjerrjes së urdhër blerjes dhe të gjitha pagesat do të bëhen në euro.
Çmimi i një automjeti sipas kontratës që ka paguar ministria në vitin e kaluar ishte 255,811 euro.
Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin vjetor të pasqyrave financiare për vitin 2020 ka vërejtur se ministria nuk e kishte përllogaritur kursin e këmbimit valutor ashtu siç ishte kërkuar me kontratë, me datën e urdhërblerjes.
“Për pagesën e realizuar me datë 18.08.2020, këmbimi valutor ishte bërë më datë 27.07.2020, ku vlera e këmbimit në këtë datë ishte 1 euro = 1.16676$. Si rezultat i këtij kursi valutor, ministria kishte paguar për 14 automjete 3,069,488€ (3,581,356$/1,16676$= 3,069,488€). Ndërsa, sikur të kishte paguar sipas kontratës me datë të urdhërblerjes 07.08.2020, ku vlera e këmbimit valutor në këtë datë ishte 1 euro= 1.1865 US dollar, ministria për 14 vetura do të paguante 3,018,313€ (3,581,356$/1.186542=3,018,313€). Andaj, si rezultat i kësaj kishte paguar 60,724$ më tepër apo shndërruar në Euro 51,177€. Vlerat e kursit të këmbimit valutor të cilave ne i`u kemi referuar janë vlera të cilat na janë ofruar nga ministria”, thuhet në raportin e auditorit.
ZKA thekson se kjo ka ndodhur si rezultat i mos respektimit të kushteve të kontratës për realizimin e pagesës në datën e urdhër blerjes nga ministria.
Auditori ka shfaqur rrezikun se mosrespektimi i kushteve të kontratës ka ndikuar në realizimin e shpenzimeve të pa arsyeshme.
“Ministri duhet të identifikoj shkaktarët e mos aplikimit të kursit valutor sipas marrëveshjes dhe të siguroj kontrolle adekuate në mënyrë që mangësitë e tilla të mos ndodhin në të ardhmen”, thuhet në rekomandimin e ZKA për ministrinë e Mbrojtjes e cila në vitin e kaluar është udhëhequr nga ministri, Anton Çuni.