Ministria e Lekajt pagoi 156 mijë euro për 32 zyrtarë që nuk shkuan kurrë në punë

Ministria e Infrastrukturës ka bërë pagesën e rregullt të pagave në vlerë prej 156,151 euro për 32 zyrtarë të cilët nuk kanë dalë në punë gjatë vitit 2019.

Kështu thuhet në raportin vjetor të auditimit për Ministrinë e Infrastrukturës.

“MI ka të angazhuar 32 punonjës për të cilët nuk ka dëshmi që konfirmojnë vajtje-ardhjen e tyre në punë ashtu siç i obligon rregullorja. Mos vijueshmëria në punë është konfirmuar edhe nga vetë ministria. Ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre gjatë tërë vitit, dhe vlera totale e pagave të paguara për këta zyrtarë ishte 156,151 euro”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Mosvijueshmëria e këtyre zyrtarëve është konfirmuar edhe nga ministria.

Megjithatë, ZKA ka rekomanduar që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve.