Për shkak të kërkesave të mëdha lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë ka dalë me një njoftim për media.
“Për shkak të kërkesave të mëdha që kemi pranuar lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se përderisa Vendimin mbi anulimin e provimit të noterisë, palët e pakënaqura e kanë kontestuar në Gjykatë, pa përfunduar ky proces Ministria e Drejtësisë, edhe përkundër vullnetit për të hapur konkurs sa më parë, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur.”
Kjo ministri thotë se “nuk ka informacione se në çfarë faze të trajtimit janë këto lëndë, por apelojmë që gjykata të veprojë sa më parë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për nevojat e qytetarëve por edhe për të ndaluar monopolin dhe për të qenë në përputhje me ligjin për noterinë.”
Aktualisht janë 57 noterë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa në 15 komuna nuk ka noterë.
Në këto komuna Ministria e Drejtësisë ka caktuar ushtrues detyre të noterit me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës.