Brenda këtij viti Ministria e Arsimit ka planifikuar që të hartojë një kurrikulë për fëmijërinë e hershme të moshave 0-5 vjeç. Një dokument i tillë ishte hartuar edhe vitin e kaluar, mirëpo nuk u zbatua, meqë institucionet parashkollore u ankuan se nuk u morën parasysh vërejtjet e tyre. MASH-i përmes një përgjigjeje për KOHËN është zotuar se kësaj radhe në procesin e hartimit të kurrikulës do të ketë gjithëpërfshirje të akterëve të ndryshëm.
Aktualisht në institucionet parashkollore punohet vetëm me kurrikulën 3 deri në 6 vjeç, kurse mosha 0 deri në 3 vjeç, në mungesë të kurrikules i referohen dokumentit “Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0 deri në 6 vjeç” të hartuar në vitin 2011, raporton KOHA.
Njohës të çështjeve të arsimit e edukatorë çerdhesh disa herë kanë vlerësuar se ky dokument nuk mund ta zëvendësojë kurrikulën. E njëjta është konstatuar edhe në raportin “Edukimi parashkollor në Kosovë” i Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim, sipas të cilit mungesa e kurrikulës 0 deri në 5 vjeç ka shkaktuar paqartësi tek edukatorët, meqë nuk kanë një bazë për planifikimin e punës edukative.
Sipas drejtoreshës së institucionit parashkollor “Xixëllonjat”, Albanë Rexha, hartimi i kurrikulës për moshën 0-5 vjeç është më se i nevojshëm dhe i mirëpritur.
“Një kurrikulë e përpiluar mirë do të lehtësonte punën e edukatorëve dhe presim që sa më shpejt të bëhet miratimi i një dokumenti të tillë. Lansimi i dokumentit të kurrikulës 0-5 vjeç do të jetë ndryshim pozitiv dhe i mirëseardhur për të gjitha edukatorët”, ka thënë ajo në një përgjigje me shkrim.
Përveç hartimit të kurrikulës 0-5 vjeç, në MASHT janë zotuar se po synojnë që ta shtojnë edhe numrin e fëmijëve që përfshihen në programe edukative dhe arsimore. Sipas të dhënave të Ministrisë, aktualisht përfshirja e fëmijëve në institucionet parashkollore për moshën 3-5 vjeç është 37 %, kurse e atyre të moshës 0-6 vjeç 20%.
“Kjo përqindje synohet të arrihet përmes ndërtimit të institucioneve parashkollore të reja. Ministria e Arsimit, sipas planifikimit aktual në kuadër të rritjes së përfshirjes së fëmijëve në institucionet parashkollore, ka në ndërtim 18 kopshte të reja, të cilat janë duke u ndërtuar nga përfitimet e fondit të IPA II dhe mjetet nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Në planifikimin e ri të MASH-it është ndërtimi edhe i 2 institucione parashkollore në (Mitrovicë dhe Drenas), të cilat fillojnë të ndërtohen në vitin 2020 dhe përfundojnë në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
Në raportin e progresit të publikuar vitin e kaluar thuhet se Kosova ka vazhduar të investojë në mjediset publike për kujdesin e fëmijëve, mirëpo shkalla e regjistrimit nuk është rritur. Në raport theksohet, po ashtu, se regjistrimi mbetet shumë i ulët në krahasim me objektivat e vitit 2020 për arsim dhe aftësim prej 95%.