Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, ka pritur sot në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, me të cilin kanë diskutuar lidhur me situatën e krijuar me virusin COVID-19 dhe për përgatitjet që ka bërë komuna e Klinës për fillimin e vitit të ri shkollor, duke iu përmbajtur udhëzimeve të MSH dhe IKSHPK-së.
Kryetari Elezaj falënderoi ministrin Zemaj për vizitën dhe e informoi atë për gjendjen me virus në Komunën e Klinës, përgatitjet që ka bërë komuna për menaxhimin e situatës dhe po ashtu theksoi nevojat që ka QKMF për furnizim edhe me pajisje mjekësore që do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Në anën tjetër ministri Zemaj falënderoi kryetarin për pritjen e po ashtu edhe për bashkëpunim e mirë ndërinstitucional gjatë kësaj periudhe të menaxhimit të pandemisë dhe theksoj se MSH do të pajis QKMF-në me një autoambulancë dhe një aparaturë për oksigjen.
Ai premtoi se ministria që ai drejton do të ndihmojë komunat, në këtë rast Komunën e Klinës, me mjete të nevojshme mbrojtëse, si masë preventive ndaj përhapjes së virusit dhe do të bëjë furnizim me barna nga lista esenciale.
Elezaj dhe Zemaj po ashtu kanë vizituar edhe Qendrën Kryesore te Mjekësisë Familjare në Klinë, ku janë njohur me kushtet në të cilat po punojnë stafi shëndetësor i QKMF-së dhe me sfidat e nevojat e tyre për përballimin e numrit të madh të pacientëve që trajtohen në këtë Qendër të kujdesit Shëndetësor.