Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë vizituar sot zonën kufitare në Bërnjak, Jasenovik dhe atë të liqenit të Ujmanit.
Qëllimi i kësaj vizite ishte e një rëndësie të veçantë, për të parë punën e zyrtarëve policorë, të cilët me patrullimet e tyre mbulojnë atë pjesë të zonës kufitare, për të ofruar siguri si dhe për të parandaluar krimin e kontrabandën e mallrave.
“Përveç tjerash kjo vizitë vie edhe pas raportimit në media lidhur me kontrabandën në këtë zonë kufitare, ku ministrat dhe stafi menaxhues u njoftuan nga afër me punën, angazhimin, përkushtimin dhe vështirësitë e punës në baza ditore të zyrtarëve policorë, në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të ndryshme kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.